Replika e qeverisë: Meta ribëri leckë Presidentin, grushtin e ka në kokë

Nga A2 CNN
19 Shkurt 2020, 16:14 | Politikë
Replika e qeverisë: Meta ribëri leckë Presidentin, grushtin e ka

Mazhoranca iu përgjigj Metës përmes ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin. “Pyetja është pse Ilir Meta priti Konferencën e Donatorëve për ta ribërë leckë Presidentin?! Keqardhja për Presidentin ka sosur. Ajo për Ilir Metën s’ka të sosur”, shkruan Elisa Spiropali në Twitter.

Ministrja uron që Meta të gjejë ndihmën e Zotit pasi, sipas saj, atë nuk e ndihmon dot as kreu i opozitës dhe as populli.

Sa i përket akuzave për kapjen e gjykatës kushtetuese, Spiropali pohon në emër të mazhorancës se grushti i shtetit është në kokën e Metës që kur nisi reforma në drejtësi dhe do të vazhdojë, thekson ajo, sa herë që në konsensus me SHBA/BE socialistët miratojmë ligje që Presidentit i duken grushte.

Por sërish nuk ka vonuar edhe reagimi nga ana e Tedi Blushit, zëdhënësit të Presidentit. “Moj e Çmendura E., po edhe për grushtin e shtetit keni marrë konsensusin e SHBA-BE? Se Venecian që vetë e kërkuat, po vetë e përzutë! Megjithatë, ne nuk nxitohemi! Po presim edhe opinionet zyrtare të EURALIUS-it. Se kështu mashtruat ju edhe për opinionet që nuk ekzistojnë të KED, Shkollës së Magjistraturës, dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, që shkëlqeu me delegjitimimin e ligjit tuaj anti-kushtetues të betimit buzë Lanës. Mbani fort oligarkët se ata janë të besës. Sa për popullin, do e shihni shumë shpejt! Edhe pak durim! Me qetësi dhe drejtësi! Për gjuhën jashtë kontrollit, nuk kemi koment, se ti na udhëheq në këtë drejtim bashkë me Skënderbeun tënd”, shkruan Tedi Blushi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos