Kanë nisur mbrëmjen e sotme reshjet e borës në juglindje dhe verilindje të vendit. Ulja e ndjeshme e temperaturave në qytetin e Kukësit është shoqëruar me reshjet e para të borës qe kanë nisur këtë mbrëmje dhe arrijnë deri në 5 cm.
Reshje bore ka patur edhe në fshatrat e ulëta malore, ndërsa në ato të larta nisen gjatë ditës. Borë ka edhe në shpatet malore të segmentit Fushë-Dukagjin të Rrugës së Kombit, por pa probleme në lëvizjen e automjeteve.
Lëvizja në akset rrugore nacionale dhe ato bashkiake nuk paraqesin problem pasi akset janë të qarkullueshme. Ndërsa mjetet e kontraktuara në rrugët nacionale dhe Rrugën e Kombit mbeten në gatishmëri për përballimin e situatave të mundshme.
Policia Rrugore me qëllim shmangien e aksidenteve apelon qytetarët që të jenë të pajisur me goma dimërore, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të ulin shpejtësinë.
Reshje me intesitet mesatar kanë përfshirë edhe Qafë Plloçën dhe Qafën e Qarrit ku deri më këto momente trashësia e borës ka shkuar nga 2 deri në 5 cm.
Reshjet e dendura të borës në Qafë-Thanë kanë krijuar vështirësi në qarkullim.
Sipas zyrtarëve të autoritetit lokal mjetet kontraktore ndodhen në terren për mbarëvajtjen e situatës.
Ndërkohë sektori i qarkullimit rrugor u bën thirrje drejtuesve të mjeteve për kujdes maksimal në të gjitha akset pasi rrugët kanë prezencë të borës dhe lagështisë. (A2 Televizion)