Qeveria e SHBA-së i ka dhuruar Forcave të Armatosura shqiptare pajisje të reja dhe moderne për përballimin e përmbytjeve.
Pajisjet e reja u dorëzuan nga ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, e cila theksoi se këto pajisje vijnë në një kohë kritike dhe do të vihen menjëherë në përdorim.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, falënderoi SHGBA-në dhe tha se këto pajisje të reja do të rrisin kapacitetet reaguese të Forcave të Armatosura ndaj fatkeqësive natyrore.
“Këto pajisje do të rrisin aftësitë e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Komandës Mbështetëse duke ndihmuar ekipet e kërkim-shpëtimit për t'iu përgjigjur në mënyrë më efektive një numri gjithnjë e më të madh emergjencash dhe gjithashtu do të ndihmojnë në mbrojtjen e jetës së personelit të Forcave të Armatosura ndërsa ata vazhdojnë punën e tyre të rëndësishme, shpëtuese”.
Pajisjet e reja janë kryesisht materiale dhe pajisje kërkim-shpëtimi ujor në raste emergjencash. Ndihma përfshin gomone, gjenerator, pajisje për heqjen e lagështisë dhe të ujit, thasë rëre, radio për komunikim në raste përmbytjesh, pajisje të ndihmës së shpejtë dhe ventilator të lëvizshëm. (A2 Televizion)