Komisioni i integrimit miratoi rezolutën që i kërkon Bashkimit Europian mbështetjen për hapjen e negociatave. Amendamentet e Ditmir Bushatit, u përfshinë në dokument në pjesën më të madhe. Por jo afatet që ai i vendoste Qeverisë për të përmbushur detyrimet që ka drejt Unionit. Reforma Zgjedhore, që sipas ish-ministrit të Jashtëm duhej mbyllur brenda këtij viti, të paktën pjesa e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, lihet pa afat.
A2 mësoi se ka qenë me kërkesë të opozitës parlamentare riformulimi i kësaj pike e cila heq afatet por zgjeron gamën e ndryshimeve në kod, duke kërkuar dhe gjithëpërfshirje. Tjetër afat i Bushatit që rrezohet, është ai që detyron Qeverinë të paraqiste brenda tetorit planin e punës dhe planifikimin e burimeve njerëzore financiare për bisedimet e anëtarësimit. Ky detyrim mbetet për vitin tjetër.
Pasi të miratohet në seancë, rezoluta do t’i dërgohet vendeve anëtare të Bashkimit Europian para vendimit për nisjen ose jo të negociatave në mesin e këtij muaji. (A2 Televizion)