
Sinisa Mihajloviç nuk do të jetë më trajneri i ekipit të Bolonjës. Lajmi u zyrtarizua pas takimit që serbi pati me drejtuesit e klubit në Casteldebole.
Shkak janë rezultatet e dobëta të ekipit në këtë fillim të Serie A, ku në 5 javë të luajtura kanë mundur të mbledhin vetëm 3 pikë, duke u renditur pranë fundit të tabelës me Lecce, Cremonese e Monza.
Në këtë mënyrë mbyllet aventura e Mihajloviç te kuqblutë, e nisur në janar të vitit 2019 pas largimit të Filippo Inzaghi.
Për momentin ekipi do t’i besohet trajnerit të të rinjve, Luca Vigiani, por shoqëria po punon për gjetjen e një zëvendësuesi. Mes emrave në listë janë Claudio Ranieri, Paulo Sosa e Thiago Motta. (A2 Televizion)