Riatdhesimi i familjarëve të ISIS, qeveritë perëndimore të ndara, frikë nga radikalizimi

Nga A2 CNN
13 Nëntor 2019, 21:12 | Bota
Riatdhesimi i familjarëve të ISIS, qeveritë perëndimore

Qeveritë perëndimore po e gjejnë vetën në udhëkryq sa i përket çështjes së riatdhesimit të ish luftëtarëve të ISIS dhe familjarëve të tyre, të burgosur në kampet siriane. Deri më tani peshorja ka anuar nga Jo-ja, ndërsa citohen vështirësitë e trajtimit të tyre pas rikthimit në Atdhe.

Disa prej grave që gjenden në këto kampe vazhdojnë të jenë mbështetëse të zjarrta të grupit ekstremist dhe ekziston rreziku që në të ardhmen t’i bashkohen atij ose t’ia përcjellin ideologjinë brezave të rinj. Megjithatë, jo të gjitha gratë qe po qëndrojnë në Al Hol janë mbështetëse të ISIS e për këtë arsye ekspertët sugjerojnë shqyrtim të rasteve në mënyrë individuale.

Disa gra të huaja, mendohet të jenë treguar veçanërisht naive në vendimin e tyre për të udhëtuar drejt Sirisë, ndoshta edhe të shtyra nga frika e ndarjes prej fëmijëvë të tyre. Belgjika, Franca dhe Gjermania po përpiqen të gjejnë mënyra për riatdhesimin e grave dhe fëmijëve nga kampet siriane.

Ky mund të jetë rasti i kësaj shtetase gjermane, e intervistuar nga gazetari i A2, Julian Kasapi, në kampin e Al Hawl.

“Shumë vende janë të trembura nga ne, por ne jemi të vetme e duam të largohemi nga Shteti Islamik. Pse duhet të kenë frikë nga ne? Ne fund të fundit jemi thjesht gra. Ne qëndrojmë në shtëpi, gatuajmë, kujdesemi për fëmijët dhe pastrojmë. Kaq. Çfarë mund të bëjë një grua? Ata mendojnë se ne po luftonim, por nuk është kështu. Unë erdha në Siri në 2014-tën, por deri atëherë kam qëndruar vetëm në shtëpi”

Autoritetet belge informuan pjesëtarët e dy kampeve se do të tërhiqnin shtetasit e tyre gjatë armëpushimit që frenoi ofensivën turke në Sirinë veriore. “The Guardian” pretendon se edhe Franca e Gjermania do të bëjnë të njëjtën gjë. Kjo ka rritur presionin ndaj Londrës, të braktisë qëndrimin deri tani mospërfillës ndaj afërsisht 30 shtetasve të vet atje. Mediat në Mbretërinë e Bashkuar thonë se shqyrtohet mundësia e kthimit të fëmijëve.

Autoritetet po negociojnë drejtpërdrejtë me agjencitë në terren për identifikimin e të miturve të pashoqëruar e për t’iu garantuar atyre një udhëtim të sigurt drejt Britanisë. Mes rasteve të para të identifikuara janë ato të 3 fëmijëve jetimë, që besohet të kenë shkuar bashkë me prindërit në Siri, 3 vite më parë. Më hezituese po tregohet Australia e cila numëron të paktën 66 shtetas në kampin e Al Hol. Shtetasit i janë lutur qeverisë t’i riatdhesojë, por Canberra kundërshton çdo operacion për shpëtimin e tyre, duke mos dashur të rrezikojë jetët e australianëve të tjerë që do të përfshiheshin në mision.

Gjithashtu shteti holandez ka apeluar kundër një vendimi gjykate që urdhëron riatdhesimin e 56 fëmijëve që i janë bashkuar ISIS-it në Siri. Gjykata pretendon se fëmijët nuk mund të cilësohen përgjegjës për veprimet e prindërve të tyre, por autoritet holandeze këmbëngulin se është shumë e rrezikshme të hyjnë në kamp e të gjejnë gratë e fëmijët atje.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos