
Anthony Fauci, një nga anëtarët kryesor të Task Forcës së Shtëpisë së Bardhë kundër koronavirusit, paralajmëron senatorët se rihapja e shpejtë e vendit do të sillte një tjetër valë shpërthimi të virusit, e situata mund të dilte nga kontrolli.
Deklaratat e Faucit, në dëshminë e tij para Senatit, bien në kundërshtim me thirrjen e presidentit të vendit për rihapjen e Amerikës.
Fauci, këshilltari kryesor i Trumpit në betejën më Covid-19, mësohet të ketë kërkuar kujdes maksimal dhe vlerësim paraprak të situatës nga të gjitha shtetet mbi aftësitë e tyre për parandalim dhe përballim të një shpërthimi tjetër të virusit.
“Nëse tregohemi të pakujdesshëm, jo vetëm që do të kemi të infektuar dhe viktima të reja, por kjo mund të na çojë pas edhe në rrugën tonë për rimëkëmbjen e ekonomisë. Situata me virusin po ecën në rrugën e duhur, por nëse ju mendoni se e kemi këtë pandemi nën kontroll, jeni gabim, nuk e kemi”, deklaroi Fauci para Senatit.
Ai gjithashtu ngriti shqetësimin mbi infektimin e fëmijëve nga Covid-19. Sipas Faucit, janë konstatuar disa raste fëmijësh me sindroma inflamatore, që mund të jetë e lidhur pikërisht me koronavirusin. I pyetur nga senatori Bernie Sanders për rrezikun e rikthimit të virusit në vjeshtë apo dimër, Fauci u shpreh se mundësia ekziston, për shkak të shkallës së lartë të transmetimit të virusit.
“Edhe nëse ne rrisim kontrollin tani e zbatojmë gjithë rregullat e nevojshme, do jetë dikush nëpër botë që do e ketë virusin dhe do e sjelli sërish mes nesh”, shtoi doktori. Ai shtoi se ekspertët, përfshirë atë vetë, besojnë se numri i viktimave nga koronavirusi është më i lartë nga sa është raportuar, për shkak se shumë persona nuk kanë arritur as të shkojnë në spital, e të regjistrohen si viktima të Covidit.
Referuar krijimit të vaksinës për Covid-19, Fauci deklaroi se aktualisht po testohen disa variante vaksine, por rruga është e gjatë deri te nxjerrja e një vaksine efektive, të autorizuar. (A2 Televizion)