Rijetëzimi i Piramidës, Rama: Nga “tokë e xanun” në hapësirën e lirisë për të rinjtë

Nga A2 CNN
4 Shkurt 2021, 11:55 | Aktualitet
Rijetëzimi i Piramidës, Rama: Nga “tokë e xanun”

Në ceremoninë e nisjes së projektit për rijetëzimin e Piramidës, kryeministri Edi Rama theksoi se kjo godinë e cila u ndërtua për përjetësimin e lavdisë së komunizmit, në vitet që erdhën degradoi në kioskëzim dhe në simbol të “tokës së xanun” në vitet pas tij deri te ideja e shembjes për të ndërtuar godinë parlamenti.

“Kjo ka qenë një ndërtesë që kur u ngrit dihet qëllimi, por nga pikëpamja arkitektonike ishte ndryshe nga të tjerët dhe një shkuarje e arkitektëve përtej kornizës së asaj kohe, si për të thënë që ajo që nuk lejohet për të tjerët, dhënia e një forme e lidhur me tendencat e arkitekturës moderne, ishte e mundur. Në rastin kur kjo formë do të duhej të përmbante mesazhin e përjetshëm të lavdisë së komunizmit dhe Enver Hoxhës. Kjo e bëri godinën një objekt që duhet ruajtur, jo thjesht për historinë e saj, por për formën e saj. Pastaj vitet që erdhën e lanë këtë godinë në një proces degradimi ku asnjëherë nuk u gjet mënyra se si kjo godinë mund të shërbente jo më për qëllimin që u ndërtua, por për qëllime e funksione të tjera. U provuan një sërë gjërash që çuan në kioskëzimin e Piramidës, u kthye në një simbol të “tokës së xanun” në një bashkëpunim mes shtetit dhe aktorëve të ndryshëm të sipërmarrjes. U kthye në një vend ku veprimtaritë nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën dhe hapësira qendrore mbeti vend i shkretë. Më pas, lindi ideja për ta kthyer në territorin e parlamenti të ri dhe për ta fshirë nga faqja e dheut dhe krijoi acarim te brezi më i ri, që nuk ishte i lidhur me kohën e dikurshme dhe sapo kishte filluar të hynte në botën digjitale, asokohe shumë e brishtë dhe rrjetet sociale u përdorën për të thirrur njerëz në protestë dhe protestuesit ishin më të rinjtë që s’kishin  lidhje me Hoxhën dhe protestonin për të ruajtur muzeun e Hoxhës dhe një shenjë të një kujtese që nuk ishte e tyre, e drejtpërdrejtë, por kujtesa kolektive që ruhet nga brezi në brez. Të jetë shprehje e një ambicie që mishëron të ardhmen përtej ideologjive dhe përkatësive”.

Rama theksoi se nga një godinë që mbart histori ekstreme, do të kthehet në hapësirë ekstreme lirie në botën e universit digjital. Ai pranon që ideja për transformimin e saj i ka lindur qëkur ishte kryebashkiak i kryeqytetit.

“Duhet të pranoj që e kam pasur në mendje që kur isha kryebashkiak këtë godinë dhe sfidën për ta kthyer në një aset të rëndësishëm jo vetëm arkitetktonik, por edhe social kulturor të Tiranës. Godina është karakteristikë e veçantë dhe hapësirat e saj nuk janë lehtësisht të përdorshme, dhe sfida nuk është projekti, por programi i godinës. Kjo godinë që mbart historinë ekstreme është edhe foleja e gatshme për të pritur ekstremin e hapësirës së lirisë për krijimin e kushteve për më të rinjtë për të hyrë në botën e universit digjital. Projekti i plotëson kushtet për t’i qëndruar kohës, njerëzve dhe për të mos harruar se nga vijnë”.

Kreu i qeverisë thekson se ky është një nga projektet më të vështira që ka marrë shumë kohë për të jetëzuar harmonizimin midis së shkuarës dhe së ardhmes, përmes një ndërhyrjeje në të tashmen.

“Është një nga projektet që ka marrë më shumë kohë. Dhe ky është projekti që në këndvështrimin tim më i vështiri për të marrë formën e dëshiruar dhe për të jetësuar harmonizimin shumë të vështirë midis të shkuarës dhe së ardhmes përmes një ndërhyrjeje në të tashmen”.

Ai theksoi se ky projekt do të krijojë mijëra vende pune, ku gjeografia nuk ka rëndësi

“Sot, janë 100 të rinj që fitojnë nga 1-7 mijë euro në muaj dhe janë në botën e tyre dhe kanë gjetur punë në internet dhe nuk punojnë as në shtete dhe as në privat. Sot, janë 2.4 milionë vende pune të lira që konsiderohen si potenciali i këtij momenti për shërbimet në internet për kompani që janë në fund të botës dhe arrihen me një klik. Ajo që ne jemi duke përgatitur për të qenë në një fazë të re të revolucionit digjital është shtrirja në çdo qytet e rrjetit të një programi për më të rinjtë që duan t'i vënë në punë aftësitë e tyre në botën digjitale për të fituar në muaj shumë më tepër se çdo të fitonin në çdo punë tjetër jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Gjermani. Sot, gjeografia është shumë pak e rëndësishme nëse mendja është mjaftueshmërisht e zhvilluar për të kapërcyer kufijtë dhe ato hapa në kohë që do të duheshin për 30 vjet më parë. Dija digjitale është e mjaftueshme për të bërë këdo të fluturojë përtej kufijve dhe të jetë një punëtor i lirë që nuk i jep llogari askujt përveç se atyre që u shërben në bazë të një kontrate të caktuar. Një portofol që duket si konglomerat gjërash, por të gjitha lidheshin. Një vajzë që sot jeton në Korçë merr mijëra euro në muaj dhe askush nuk e di që si ajo janë të njohur e identifikuar 100 të tjerë dhe ne duam të nxjerrim në sipërfaqe gjithë këto vullnete dhe t’i kthejmë në shembull konkret duke bashkëpunuar me të tjerë. Në mënyrë që ta kthejmë këtë në një rrugë të re”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos