Rikthehet "Babalja", dënimi i deputetit Salianji me 1 vit burg, Apeli cakton datën e gjyqit

Nga A2 CNN
2 Korrik 2022, 15:21 | Kronikë
Rikthehet "Babalja", dënimi i deputetit Salianji me 1 vit burg,

Gjykata e Apelit Tiranë ka caktuar datën 4 korrik për seancën e parë gjyqësore në ngarkim të deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, për akuzën ndaj tij në dosjen “Babalja”.

Deputeti dhe tre të bashkëpandehur u dënuan 3 vjet më parë për “kallëzim të rremë” për inskenimin e një audio-përgjimi, ku pretendohej se vëllai i ish-ministrit të brendshëm, Fatmir Xhafaj, bisedonte për çështje droge.

Në vendimin e dhënë në dhjetor të vitit 2019 Salianji, atë kohë jashtë Kuvendit, u dënua me 1 vit burg. Ai nuk shkoi në qeli pasi u hetua dhe gjykua në gjendje të lirë dhe vendimi nuk ishte i formës së prerë. Në Apel, deputeti kërkon prishje të dënimit dhe deklarim të pafajshëm.

Pafajësi pretendojnë në apel edhe të bashkëpandehurit e tij, Fredi Alizoti, i dënuar me 2 vjet burg si aktruesi i zërit të Geron Xhafajt, vëllait të ish-ministrit, gazetari Jetmir Olldashi, i dënuar me 100 orë punë në interes publik dhe Albert Veliu, i njohur si “Babalja”, i dënuar me 3 vjet e 5 muaj burg në mungesë.

https://a2news.com/2019/12/18/dosja-babale-salianji-denohet-me-1-vit-burg-ish-deputeti-gjyqtari-i-beri-nje-sherbim-partise-socialiste/

Në gjenezën e saj në vitin 2018, dosja “Babalja” u hetua nga Prokuroria për Krimet e Rënda, por më pas i kaloi për kompetencë prokurorisë së kryeqytetit.

Sipas hetimit, deputeti Salianji i kishte premtuar 200 mijë euro Albert Veliut nëse i sillte prova komprometuese për vëllain e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Në pamundësi, Veliu ka inskenuar audio-përgjimin duke përdorur si aktor Fredi Alizotin, publikimi i të cilit shkaktoi bujë dhe përplasje të forta në skenën politike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos