Rikthehet Champions, Juventusi pret skuadrën ruse

Nga A2 CNN
22 Tetor 2019, 08:25 | Futboll
Rikthehet Champions, Juventusi pret skuadrën ruse

Rikthehet sot në mbrëmje Champions League me kompeticionin që është në raundin e tretë të ndeshjeve në grupe.

Kampionët e Italisë, Juventus presin në “Allianz Stadium” rusët e Lokomotivës së Moskës. Bardhezinjtë ndajnë vendin e parë të grupit me Atletiko Madrid në kuotën e 4 pikëve.

“Zonja e Vjetër” vjen nga një formë e shkëlqyer teksa në fundjavë mundi Bolonjën në kampionat, ndërsa në total numuron 6 fitore radhazi. Por rusët nuk janë aspak për t’u nënvlerësuar, pasi treguan potencial që në ndeshjen e parë duke mundur Leverkusen në transfertë.

Me 1 pikë pas dy ndeshjeve të para, Real Madrid udhëton drejt Turqisë për t’u ndeshur me Galatasarain, atje ku fitorja është detyrim për skuadrën e Zinedine Zidane.

Madrilenët po kalojnë një periudhë të vështirë teksa në Champions nuk arritën të fitojnë as përballë Bruzh, ndërsa në javën e fundit të kampionatit, u mundën nga Majorka në transfertë. Turqit mbeten përpara Real në klasfikimin, me 1 pikë, por me golavarazh më të mirë. Një tjetër hap fals, mund t’i kushtojë galaktikëve eliminimin e parakohshëm nga Champions.

Nëse në kampionatin anglez, Siti mbetet në ndjekje të Liverpul, në grupet e Champions anglezët kryesojnë me pikë të plota. Në mbrëmje “qytetarët” përballen me Atalantën e Berat Gjimshitit që përtej pritshmërive nuk ka arritur të shprehet si duhet në fushë në debutimin e saj duke i humbur të dyja takimet e para. Për mbrojtësin kuqezi do të jetë testi i duhur për të  provuar aftësitë përballë një prej sulmeve më të mirë në glob. City kërkon fitoren për të mbyllur sa më parë llogaritë e kualifikimit. Atalanta nga ana tjetër është praktikisht e eliminuar me një tjetër humbje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos