Rikthehet Dinamo-Tirana, pas 9 viteve pushim dy skuadrat përballen 3 herë brenda 2 javëve

Nga A2 CNN
3 Nëntor 2021, 09:36 | Futboll

Më tepër se sa për duelet e turit të dytë, Kupa e Shqipërisë, që do të luhet këtë mesajavë shërbeu për të rikthyer derbin ndërmjet Dinamos dhe Tiranës. Një ndeshje e cila i mungonte futbollit shqiptar prej nëntë vjetësh, periudhë gjatë të cilës blutë kanë vuajtur në kategoritë e ulëta.

Këtë të mërkurë, prej orës 16:45 në Arenën Kombëtare, dy skuadrat e kryeqytetit do të hapin serinë e përballjeve të një pas njëshme. Trilogjia nis më 3 nëntor, në garën për një vend në çerekfinalet e Kupës, për të vijuar në fundjavë, ku do të sfidohen në javën e tetë të Superiores, ku bardheblutë do të jenë pritës. Dinamo dhe Tirana do të ndeshen për herë të tretë më 17 nëntor, në ndeshjen e kthimit në Kupë.

Shtatë takimet e tjera të turit të dytë do të nisin prej orës 14:00, me skuadrat pretendente që luajnë të gjitha në transfertë, ku spikat dueli i Superiores ndërmjet Egnatias dhe Kukësit. Bazuar në rezultatet e ndeshjeve me sistem vajtje-ardhje, nga skema e turneut janë përcaktuar edhe duelet e turit të tretë, ku nuk përjashtohet një tjetër derbi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos