
Bernard Berisha, ish-lojtari i Skënderbeut, u rikthye me Kombëtaren e Kosovës pas afër 2 vitesh mungesë, duke realizuar edhe golin e vetëm në humbjen ndaj Greqisë.
Realizimi ishte perfekt, por Berisha rrëzoi gjithçka me festimin polemizues në drejtim të trajnerit. E gjitha për mungesën e ftesave ndaj tij në këtë periudhë të gjatë.
“Festimi? Nuk ishte vetëm me trajnerin. Për dy vite nuk kam luajtur asnjë minutë në ndeshje zyrtare. Këtë e kam bërë për këtë gjë. Unë do të jem i gatshëm. Kam vuajtur shumë në këto dy vite. Jam gati ta jap maksimumin për Kosovën. Trajneri mund të mos më grumbullojë për ndeshjen e radhës për shkak të gjestit pas ndeshjes. Unë vetë kam thënë se Arbër Zeneli duhet të luajë. Nuk kam qenë i kënaqur me trajtimin. Vetëm zemra ime e di se sa kam vuajtur. Ai e di, unë do të pranoj çdo vendim që ai merr, siç kam bërë deri tani”, ka thënë Bernard Berisha gati për të shpërthyer në lot.
Ndërkohë, trajneri Challandes u shpreh se veprimi i sulmuesit nuk mund të falet. “Për mua, Berisha ka bërë një punë të mirë dhe unë pres nga zëvendësuesit të bëjnë diçka. Njësoj ishte edhe në ndeshjen ndaj Moldavisë, por veprimi që bëri nuk mund të falet”, tha trajneri. (A2 Televizion)