
Për Rudina Hajdarin ish-kryetari Lulzim Basha dhe kreu aktual i PD-së së Rithemeluar duhet të bëjnë hapa pas në mënyrë që e djathta shqiptare të jetë alternativë përballë kryeministrit Edi Rama.
Ish-deputetja demokrate theksoi se protestat po ashtu, mund të jenë mjeti i duhur për zgjidhjen e situatës.
Në një kohë kur PD është ndarë në tre kampe, Hajdari përpjekjet e fundit të asaj pjesë të së djathtës zyrtare që kërkon mbajtjen e zgjedhjeve për kreun e ri, i cilësoi si iniciativa personale, “për ambicie personale” të individëve të caktuar.
Kurse, sa i përket kthimit të Lulzim Bashës në skenën politike, Rudina Hajdari shprehet se taktikat politike të ish-kryetarit janë lehtësisht të lexueshme.
“Rikthimin e shikoj si një parashikim që është bërë qoftë edhe nga analistë të ndryshëm. Në llojin e tij të politikëbërjës, është amator. Është konsumuar ai dhe Rama. Dëshira e tij për t’u rikthyer, një ambicie e sëmurë për të qenë në krye të PD. Ndërkohë që asnjë nuk e do.”
Edhe pse ajo vetë është rreshtuar në krahun e demokratëve që mbështesin Sali Berishën, Hajdari bëri thirrje që të dy si ish-kryeministri ashtu edhe Lulzim Basha të bëjnë hapa pas dhe t’u lënë vendin figurave të reja në PD. (A2 Televizion)