Rikthimi i formula 1, me maska në bokse, Mercedes nis testet në Silverstone

Nga A2 CNN
9 Qershor 2020, 17:47 | Sporte të tjera
Rikthimi i formula 1, me maska në bokse, Mercedes nis testet në

Maska kirurgjikale apo edhe maska për të gjithë fytyrën. Kjo është Formula 1 në epokën e Covid-19. Në cirkuitin e Silverstone, nisën dy ditët e testeve të Mercedes.

Kampionët e botës kolauduan protokollin sanitar në pistën e famshme angleze. Mes sinjaleve pozitive për rikthimin në asfalt, më tepër u fol për normalitetin e ri me të cilin edhe ky sport duhet të përballet.

Mekanikët, inxhinierët, pilotët apo edhe drejtuesit e skuadrës qëndruan të gjithë me maska, ndërsa respektuan edhe distancimin social.

Objektivi i testeve të Mercedes ishte që Lewis Hamilton dhe Valtteri Bottas, të rifitonin reflekset e pistës, pas pauzës së gjatë të detyruar nga përhapja e pandemisë.

Dy pilotët do t’i regjistrojnë kohët në pistë me makinën W09, njëvendëshja e dy sezoneve më parë. Testet gjithashtu ishin mundësia më e mirë për të provuar protokollin e sigurisë dhe të distancimit në bokse, në prag të startit të Botërorit 2020. Kampionati i Formula 1 është parashikuar të nisë më 5 korrik në Austri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos