
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, fajësoi dështimin politik të liderëve të Afganistanit për situatën në vend. Ai paralajmëroi se do të kundërpërgjigjen nëse talebanët do të mbështesin sulme terroriste ndaj Perëndimit.
“Gjatë dy dekadave të fundit nuk ka pasur sulme terroriste në tokën e shteteve aleate, të organizuara nga Afganistani. Ata që po marrin pushtetin tani kanë përgjegjësinë të sigurojnë që terroristët ndërkombëtarë të mos rifitojnë terren. Aleatët kanë kapacitetet dhe vigjilencën për të adresuar çdo kërcënim të mundshëm terrorist nga Afganistani”, tha Stoltenberg.
“Ajo që pamë në javët e fundit, ishte një kolaps politik dhe ushtarak me një shpejtësi të papritur. Një pjesë e forcave të sigurisë afgane luftuan me guxim, por nuk ishin në gjendje të siguronin vendin pasi lidershipi afgan dështoi ti kundërvihej talebanëve dhe të arrinte zgjidhjen paqësore që afganët duan me dëshpërim. Ky dështim i lidershipit na çoi në tragjedinë që po dëshmojmë sot”. (A2 Televizion)