Rikthimi në polici, cili ligj do zbatohet?

Nga A2 CNN
6 Shkurt 2019, 17:37 | Aktualitet
Rikthimi në polici, cili ligj do zbatohet?

Për të gjithë ata ish-policë që kanë 2 vjet jashtë forcave të rendit dhe janë ende në pritje për t’u kthyer, ligjvënësit nuk kanë ende përgjigje.

Kakofonia e shkaktuar nga dy ligje për policinë ka bërë që deputetët të ngrenë supet. Kjo pasi ligji për vetting në polici lejon çdo punonjës policie që është jashtë sistemit, t’i nënshtrohet vetting-ut e të kthehet në radhët e uniformave blu.

Por ligji për Policinë e Shtetit, miratuar pak para largimit nga detyra të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, pengon rikthimin në polici të punonjësve që kanë 2 vjet jashtë sistemit.

“Iu është krijuar mundësia shumë punonjësve të policisë që të rikthehen në detyrë. Por problemi është tek afati dyvjeçar që i penalizon ata. Pyetja ime është si do ta zgjidhim këtë problem?”, tha deputeti i Partisë Socialiste, Sadi Vorpsi.

“Deri tani a ka kërkesa për t’iu nënshtruar vetting-ut nga persona që janë jashtë radhëve të policisë së shtetit?”, pyeti deputetja tjetër e PS, Ermonela Felaj.

“Nuk e kemi një numër të tillë”, iu përgjigj Aida Shehi, kryetare e Bordit për Vetting në Polici. “Besoj se do të merren të gjitha masat që kjo të realizohet nga komisioni i jashtëm i vlerësimit”.

Bëhet fjalë për rreth 850 të shkarkuar me ose pa të drejtë, të cilët mund të aspirojnë për t’u kthyer në radhët e uniformave blu. Megjithëse i trumbetuar fort, ligji për vetting në polici, i mbështetur nga ndërkombëtarët, me largimin e Fatmir Xhafajt ka mbetur peng i procedurave.

Para deputetëve të mazhorancës, Shehi tha se komisioni prej 15 anëtarësh që do të kalojë në filtër 11 000 punonjësit e policisë do të nisë punën javën e ardhshme, por më parë anëtarët e tij duhet t’i nënshtrohen trajnimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos