Rindërtimi pas tërmetit/ BE firmos, alokohen 15 milionë euro për shkollat

Nga A2 CNN
15 Prill 2020, 16:53 | Ekonomi
Rindërtimi pas tërmetit/ BE firmos, alokohen 15 milionë euro

Firma për 15 milionë eurot e para të BE-së për rindërtimin nga tërmeti u hodh “online”. Në mungesë të kamerave të medias, protagonistët i shfaqën vetë ato para kompjuterit.  

BE mbajti premtimin e dhënë pas 26 nëntorit, duke alokuar 15 milionë euro për rindërtimin e 5 shkollave në vend, si pjesë e mbështetjes për rimëkëmbjen e vendit pas tërmetit. Ambasadori Luigi Soreca e quajti këtë një provë se Unioni do të vazhdojë të jetë në krah të Shqipërisë.

“Sot, firmosim kontratën e parë, në formën e 15 milionë eurove të BE-së për shkollat. Është fjalë e mbajtur pas premtimit që dhamë në tërmetin tragjik të 26 nëntorit. 115 milionë euro u dhanë në 17 shkurt, në Konferencën e Donatorëve në Bruksel. Kjo pjesë e parë do të mbështesë 22 shkolla prioritare në zonat Durrës, Kavajë, Kamëz dhe Kurbin dhe pritet të përfitojne 7500 fëmijë. Pavarësisht kësaj periudhe të vështirë që po kalojmë me Covid-19, BE-ja po bën realitet premtimin e 17 shkurtit”, tha Soreca.

Ky projekt do të zbatohet nga UNDP, Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara. Përfaqësuesja në Shqipëri, Limya Eltayeb, garantoi se objektet e reja arsimore do të ndërtohen me standardet më të larta sizmiologjike: “Për mua sot është një ditë e lumtur, sepse BE dhe UNDP kanë vendosur t’i japin mbështetje shkollave, të rinjve, ky është një investim për të ardhmen e Shqipërisë. Ne do të përdorim qasjen e rindërtimit edhe më mirë, do të përdorim këtë mundësi për të ndërtuar këto zona në mënyrë më të fortë dhe të sigurt, që të mos zhbëhen në të ardhmen nga fatkeqësi natyrore”.  

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, tha se pavarësisht situatës nga Covid, plani i rimëkëmbjes do të vazhdojë.

“Do të rikonstruktojmë 103 shkolla. Shkollat e reja do të shërbejnë si qendra komunitare”, shpjegoi zv/ministri i Arsimit, Olti Rrumbullaku.

Një ditë më parë, Këshilli Europian miratoi ndryshimin në buxhet për vitin 2020, ku përfshiu edhe akordimin e 100 milionë euro për të mbështetur rindërtimin e Shqipërisë pas tërmetit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos