Tensioni midis Republikës Popullore të Kinës dhe Republikës së Kinës, ose më mirë asaj që jemi mësuar ta quajmë Tajvan, nuk ka njohur ulje në dekadat e fundit. Por ky tension shpesh herë nxehet edhe më shumë, shpesh herë për faktorë të brendshëm të dy palëve, herë të tjera për ngjarje që përfshijnë palë të treta, zakonisht Shtetet e Bashkuara.
Kjo po ndodh edhe në ditët e fundit, ku është regjistruar një shtim domethënës i fluturimeve ushtarake kineze në ujërat e asaj që Pekini cilëson ende si provincë rebele.
Për dy ditë rresht, dhjetëra avionë ushtarakë kanë fluturuar në qiellin tajvanez, ku objektivi nuk ishte vetëm një paralajmërim ndaj Taipeit “rebel”.

Në të njëjtat orë, njësi detare amerikane me në krye aeroplanmbajtësen "Theodore Rooswelt" po kalonin pikërisht në zona të afërta, zyrtarisht "për të mbrojtur të drejtën e lundrimit ndërkombëtar, dhe qetësuar aleatët e SHBA-ve".
Aleat si Tajvani, që formalisht nuk është njohur nga Uashingtoni, që gjithsesi mbetet partneri komercial dhe ushtarak më i mirë i tij. Administrata Biden do të vijojë ketë traditë, dhe një aspekt domethënës ishte prania e atij që jo formalisht kryen funksionin e ambasadorit të Tajvanitit në ceremoninë e tij të inaugurimit.

Ministri i Mbrojtjes kineze, Wu Qian, deklaroi se aktivitetet ushtarake të Pekinit në ngushticën e Tajvanit janë të nevojshme për sovranitetin e vendit, të shkaktuara nga provokimet e forcave indipendentiste në Tajvan”, duke paralajmëruar se “ato që po luajnë me zjarrin do të digjen, pavarësia e Tajvanit do të thotë luftë”.
Një mesazh ky edhe për administratën amerikane, që gjithmonë e më shumë po akuzon Pekinin se po ndërton një "perandori" duke ndërtuar ishuj artificialë në zonën që dy shtetet kineze ndajnë me Malajzinë, Vietnamin dhe Filipinet. Ky pra është vetëm një nga kapitujt e përballjes të dy fuqive dominante të gjeopolitikës botërore, dhe që shfaqet në aspekte nga më të ndryshmet, politike dhe ekonomike. (A2 Televizion)