
Për deputeten e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku rritja e pensioneve që njoftoi kryeministri Edi Rama është një tallje me pensionistët shqiptarë.
Sipas Tabakut, nuk mund të quhet 2026 “viti i pensionistëve” siç e cilëson Rama, kur rritja që i bëhet pensionist vlen sa për të paguar një kafe në ditë.
“Sipas Kryeministrit, pensionet do të rriten me 1,800 lekë në qytet dhe 600 lekë në fshat. Kjo do të thotë vetëm 60 lekë në ditë, një kafe në qytet apo 20 lekë në fshat. Çfarë mund të bëjë një pensionist me një kafe më shumë në ditë?”, thotë Tabaku në një video të postuar në rrjetet sociale.
Ligjvënësja e opozitës konstaton se pensionistët janë një nga shtresat më të prekura nga inflacioni dhe nuk mund tu hidhet hi syve me lëmoshë, kur përballen çdo ditë me shtrenjtimin e ushqimeve të shportës apo barnave.
“Pas gjithë këtyre rritjeve, qeveria ofron një lëmoshë, jo një zgjidhje. Pensionet sot janë lëmoshë, jo politikë sociale. Shqipëria ka nevojë për një skemë të re, të qëndrueshme dhe me dinjitet për të moshuarit e saj. Qeveria mund të shpërndajë kafe falas, por nuk mund të blejë dinjitetin e pensionistëve”, nënvizon ajo. (A2 Televizion)
