
Selami Xhepa, presidenti i Universiteti Europian i Tiranës, mendon se rishikimi i buxhetit nga qeveria nuk është bërë si duhet.
“Nëse shikojmë sjelljet e përditshme brenda vendit, ne lëmë shumë për të dëshiruar. Eficenca e investimeve publike në Shqipëri është një nga problemet më serioze të sistemit tonë të menaxhimit financiar”, tha ai në A2 Business Week.
“Së dyti, ne kemi parë që shemben vepra publike dhe pretendohet të merret hua për t’i zëvendësuar – dhe këtu fjalën e kam për Teatrin Kombëtar. Këtu ne po paguajmë fatura për kontrata të ndërprera në mënyrë të njëanshme nga qeveria, pra bëhet fjalë për investime krejtësisht ineficente, jashtë kontekstit dhe për më tepër që ne nuk jemi në dijeni që projekte të kësaj natyre janë diskutuar më përpara dhe për pasojë të jemi të bindur që sa është eficenca e tyre. Këto projekte po marketohen më shumë në një trajtë politike, si mesazh meqë jemi në prag të fushatës elektorale. Si hidrocentrali i Skavicës apo rruga (Milot-Fier)”.
Sipas tij, ka disa sektorë të tjerë që duhet të përfitojnë më shumë nga investimet. “Prioritet duhet të mbetet agjenda sociale e popullit sepse është ajo që heq populli dhe e paguan ditë për ditë. Realitet e krijuara nëpërmjet këtyre programeve gjigande krijojnë një diskordancë të madhe jo vetëm në perceptimin publik, por edhe veprimin publik. Investimet e mëdha në infrastrukturë nuk janë alternativë apo zëvendësim i investimeve të nevojshme për të shpëtuar sektorët prodhues të ekonomisë. Industria vazhdon të mbetet e paralizuar. Ne nuk do t’i çojmë të gjithë njerëzit të ndërtojnë rrugë me lopata”, tha Xhepa.
“Duhet të diskutojmë me këmbë në tokë cilat do të ishin strategjitë e orientimit të ekonomisë kombëtare në ato që mund të jenë sektorët e nesërm strategjikë, si bujqësia. Ne e provuam për shembull se në rast të një mbylljeje, ne rrezikojmë furnizimin me bukë, sepse në situata të tilla, edhe globalistët më të zjarrtë bëhen nacionalistë. Sepse ushqimi i popullit është prioritet”. (A2 Televizion)