
Qytetarët dhe bizneset perceptojnë se situata ekonomike në vend është përkeqësuar, çka ka kushtëzuar shpenzimet dhe investimet që ata bëjnë. Kjo ka rezultuar nga treguesi i ndjesisë ekonomike, publikuar nga Banka e Shqipërisë.
Ekonomia ka hyrë në një recesion të fortë, nën ndikimin e krizës së Covid-19 dhe rënia pritet të jetë në variantin më të mirë -5.7% dhe në variantin më të keq deri në -9%, sipas parashikimeve të BERZH. Përgjigjja e qeverisë ndaj krizës ka qenë me dy paketa financiare, të cilat kanë pasur karakter kryesisht social dhe së fundmi, edhe me rishikimin e buxhetit, ku deficiti buxhetor dhe borxhi publik kanë shënuar nivele rekord.
Për të folur për këto zhvillime ekonomike ishte e ftuar në A2 Business Week zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj.
“Në këndvështrimin e Bankës së Shqipërisë, situata ekonomike sot mund të përmblidhet në 3 konstatime të rëndësishme. Së pari, ekonomia shqiptare po përballet me një vështirësi të niveleve më të shtuara, të paktën gjatë dy dekadave të fundit. Ne e shikojmë këtë në rënien e konsumit, të investimeve, por edhe eksportit. Treguesit e tjerë janë ilustrim të kësaj sfide që po përballet ekonomia shqiptare. Konstatimi i dytë lidhet me momentin kur filloi pandemia, e cila u shoqërua me një situatë të vështirë për ekonominë shqiptare. Sistemi financiar ishte në një situatë pozitive, sepse niveli i kredive me probleme ishte në një nivel rënës, po kështu edhe borxhi publik ishte në treg rënës. Ishte ky moment pozitiv që mundësoi që të gjithë institucionet të kishin mundësi të ndërhynin në mënyrë të shpejtë dhe të suksesshme. Nga ana tjetër, Banka Qendrore për politikën monetare dhe qeveria për politikën fiskale reaguan në kohë”, u shpreh Natasha Ahmetaj.
Më tej, zëvendësguvernatorja foli edhe për masat ekonomike të marra nga qeveria në këtë situatë. “Duhet të kemi parasysh natyrën e kësaj sfide ekonomike me të cilën Shqipëria dhe jo vetëm, po përballet. Kjo nuk është një krizë ekonomike si të tjerat, pasi ndryshe nga të tjerat ka ardhur nga faktorë ekzogjen, që janë jashtë ekonomisë. Duke qenë e tillë, nuk është e përshtatshme që për të gjykuar për efikasitetin e paketës fiskale, e cila ka për qëllim të adresojë pasojat e një pandemie, ne të përdorim të njëjtin koncept tradicional, se sa kjo paketë ka pasur efekt multiplikues në GDP. Në këtë rast, për të gjykuar për efektivitetin e paketës fiskale është më e përshtatshme t’i adresohemi sa kjo ka ndihmuar nivelin e konsumit të familjeve. Duke pasur parasysh këtë veçori të kësaj krize, më duhet të vlerësoj që instrumentet, të cilët janë pjesë e paketës fiskale të qeverisë, janë më të mirët që mund të ishin për një situatë të tillë krize”.
Por, a ka rekomandime Banka e Shqipërisë për qeverinë? “Qëndrimi i BSH, çfarëdolloj politike fiskale që të ndërmerret, një gjë është e panegociueshme, stabiliteti financiar. Të gjithë instrumentet nuk duhet të cenojnë stabilitetin financiar, për ndryshe pasojat do të ishin shumë negative dhe të gjata. Ka mundësi që veprimet e qeverisë të mbështesin edhe më tej situatën ekonomike të vendit edhe pasi pandemia të ketë përfunduar. Ndihma që i është dhënë sektorit të biznesit të prekur nga pandemia dhe që ka trajtën e mbështetjes për likuiditet, nuk duhet të përfundojë me përfundimin e pandemisë. Kjo mbështetje duhet të vazhdojë më gjatë sepse ky sektor vërtetë e pati fillimin e vështirësisë për faktorë të jashtëm, por hyrja dhe dalja në industri është endogjene. Kjo do të thotë se lëkundjet e kërkesës për këtë sektor do të lënë pasoja që nuk do të përfundojnë me përfundimin e pandemisë”. (A2 Televizion)