
Rita Ora mund ti kalojë Krishtlindjet larg familjes së saj, pasi ka mbetur e bllokuar në Bullgari.
Sipas "The Sun", këngëtarja shqiptare me famë botërore, udhëtoi drejt Bullgarisë për xhirimet e videoklipit të saj më të ri.
Qeveria bullgare pezulloi fluturimet direkte me Britaninë deri më 31 janar pas lajmit se një variant i ri i koronavirusit ishte zbuluar në Angli.
Ky lajm vjen pasi ylli botëror i pop-it, është përballur me kritika të shumta për thyerje të rregullave anticovid.
Pak kohë më parë u raportua se 30-vjeçarja fluturoi me avion privat në Kajro, aty ku performoi në një hotel ku i pranishëm ishte edhe Presidenti egjiptian Abdul Fattah al-Sisi.
Një ditë më pas, ajo u kthye në Angli dhe në bazë të rregullave kundër koronavirusit duhet të qëndronte 14 ditë në karantinë, por nuk ndodhi kështu. Përkundrazi Rita organizoi një festë ditëlindjeje në një restorant në Londër, veprime për të cilat kërkoi më pas falje. (A2 Televizion)