Rritet trysnia ndaj Biden, shtetet humbasin durimin, duan heqjen e masave anti-Covid

Nga A2 CNN
10 Shkurt 2022, 15:29 | Bota
Rritet trysnia ndaj Biden, shtetet humbasin durimin, duan heqjen e masave

Përballë trysnisë në rritje për të hequr kufizimet lidhur me pandeminë, Shtëpia e Bardhë njoftoi të mërkurën, se po bënte plane për të nisur lehtësimin gradual të masave në nivel kombëtar. Por shtetet që e kanë humbur durimin, mes tyre Nju-Jorku, që drejtohet nga një guvernatore demokrate, e kanë bërë të qartë se nuk do të presin Uashingtonin, ndërsa irritimi publik po rritet.

Guvernatorja Kathy Hochul njoftoi se Nju-Jorku do t'i japë fund urdhrit mbi vendosjen e detyruar të maskave në shumicën e ambienteve publike të brendshme, por ai do të vazhdojë të jetë në fuqi për shkollat. Autoritetet e shtetit të Ilinoisit njoftuan të njëjtën gjë.

“Në këtë moment, mendoj se vendimi i duhur është të heqim urdhrin për mbajtjen e maskave në biznese të ndryshme dhe të lejojmë kontetë, qytetet apo bizneset të vendosin vetë nëse do të kërkojnë maskat apo certifikatat shëndetësore. Duke qenë se rastet kanë rënë, e po ashtu hospitalizimet, ne shfuqizojmë masat që nga kjo e enjte”, tha Kathy Hochul.

Në fillim të kësaj jave, Nju Xhjersi, Konektikati dhe Dellaueri bënë publike plane për t'iu bashkuar atyre shteteve që kanë hequr ose nuk kanë pasur kurrë urdhra në fuqi, për mbajtjen e maskave në shkolla. Shteti i Masaçusetsit do të ndjekë shembullin, në fund të këtij muaji. Të gjitha këto shtete, përveç Masacusets, drejtohen nga guvernatorë demokratë.

Presidenti Biden, i cili ka premtuar prej kohësh të ndjekë shkencën në përballjen me pandeminë, duket "pa rrugëdalje", ndërsa pret udhëzime të reja nga zyrtarët federalë të shëndetësisë, të cilët deri më tani vazhdojnë të rekomandojnë që pothuajse të gjithë amerikanët të mbajnë maska në shumicën e ambienteve të brendshme. Rastet dhe shtrimet ne spital kanë rënë ndjeshëm në SHBA, dhe pjesa më e madhe e popullsisë është e vaksinuar. Megjithatë, më shumë se 2000 njerëz po vdesin çdo ditë në vend, si pasojë e Covid-19 dhe brenda administratës ka zëra kundër heqjes dorë nga kufizimet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos