
Irani i sheh kritikat e Bashkimit Evropian ndaj ekzekutimit të gazetarit disident, Ruhollah Zam, si "ndërhyrje" në punët e tij të brendshme. Kjo u deklarua nga Presidenti iranian, Hassan Rohani, duke iu përgjigjur akuzave nga vende të ndryshme evropiane, në veçanti nga Franca, e cila shtyu një forum të rëndësishëm biznesi midis BE-së dhe Iranit të planifikuar për sot.
"Gjyqësori iranian është i pavarur dhe ekzekutimet janë të ligjshme në vendin tonë. Pra, çfarë kuptimi ka kaq shumë ndjeshmëri për këtë çështje? Në çdo rast, nuk ka rëndësi për ne që ata janë kundër vendimeve të gjykatave tona. Me këto kritika ata në të vërtetë po pranojnë që Zam punoi për interesat e tyre dhe kjo nuk është e përshtatshme për ta", theksoi kreu i qeverisë së Teheranit në një konferencë shtypi.
"Evropianët kanë qenë gjithmonë të ndjeshëm në disa çështje dhe janë të lirë të shprehin mendimin e tyre, pasi ne duhet të shprehim shqetësimin tonë për incidentet në disa vende evropiane si Franca dhe Gjermania. Por, kjo nuk do të dëmtojë marrëdhëniet midis Iranit dhe shteteve evropiane", përfundoi Rohani.
Përveç Bashkimit Evropian edhe SHBA e ka dënuar ekzekutimin e gazetarit disident, Ruhollah Zam, në Iran. Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, tha se Shtetet e Bashkuara dënuan me forcë ekzekutimin e padrejtë dhe barbar nga Irani të gazetarit disident iranian Ruhollah Zam, i cili u dënua për nxitje të dhunës gjatë protestave anti-qeveritare, në 2017.
Gazetari disident iranian, Rouhollah Zam u var në Iran të shtunën në mëngjes. Ai jetonte ne Francë prej tetorit të vitit 2019, dhe ende nuk dihet në çfarë rrethanash u arrestua. (A2 Televizion)