
Presidenti amerikan, Donald Trump, ndryshon mendje. Stafi i Shtëpisë së Bardhë nuk do të jetë mes të parëve që do të marrë vaksinën e Pfizer dhe Bion-tech, ashtu si u tha fillimisht.
Siç mësohet, presidenti ka kërkuar të bëhen ndryshime të planit. Fushata e imunizimit në masë në Shtetet e Bashkuara nis këtë të hënë. Zyrtarë të lartë thanë për mediat të dielën se disa nga dozat e para do t’i rezervoheshin bashkëpunëtorëve të afërt të Trump, me qëllimin për të promovuar besimin publik te vaksina.
Por më vonë, përmes një postimi në rrjetin social Twitter, numri një i Uashingtonit sugjeroi se zyrtarët e lartë do të duhet të prisnin më gjatë.
“Personat që punojnë në Shtëpinë e Bardhë duhet ta marrin vaksinën më vonë. Kam kërkuar të bëhen ndryshime lidhur me planin”, tha presidenti.
Trump, i cili u infektua me koronavirus në muajin nëntor, dhe u trajtua për disa ditë në spital, tha se nuk kishte planifikuar ende ta merrte vaksinën, por se priste me padurim ta bënte kur të vinte momenti.
Vaksina e krijuar nga Pfizer dhe Biontech, ofron 95 për qind mbrojtje nga Covid-19 dhe mori dritën jeshile nga administrata për ushqimet dhe barnat, ditën e premte.
3 milionë dozat e para po shpërndahen aktualisht në dhjetëra qendra vaksinimi në të 50 shtetet amerikane. Ngarkesa e parë me vaksinat u nis nga godina e Pfizer në Miçigan ditën e diel. Punonjësit e shëndetësisë dhe të moshuarit janë të parët në radhë për sigurimin e vaksinës.
Vdekjet si pasojë e koronavirusit janë rritur ndjeshëm në SHBA që prej muajit nëntor dhe të shtunën ishte dita me bilancin me vdekjeprurës në të gjithë botën, me 3309 humbje jetësh.
Hedhja në treg e vaksinës konsiderohet si pika e kthesës së pandemisë e cila u ka kushtuar jetën gati 300 mijë njerëzve në vend.
Vaksina e Pfizer dhe Biontech po u jepet kategorive me të rrezikuara në Britaninë e Madhe, e po ashtu Kanadaja, Bahreini dhe Arabia Saudite i kanë dhënë dritën jeshile. (A2 Televizion)