
Sa mund të rrezikohet efektivisht Shqipëria nga konjukturat negative që vijnë ende nga pasojat e pandemisë në dy vitet e kaluara, nga faktori i brendshëm por veçanërisht nga lufta në Ukrainë, që ka praktikisht anuluar dy tregje të mëdha burimesh si Rusia dhe pikërisht Ukraina?
Problematika kryesore e nënvizuar edhe nga kryeministri Rama ka qenë mundësia e krizës energjetike. Eksperti i ekonomisë Klodian Muço, i ftuar në A2 Business, mendon se kryeministri duhet ta kishte menduar më parë. “Kryeministri e dinte në gusht kur shiti pafund energji, që nuk po menaxhohej mirë situata energjetike, e dinte që flitet nga 2017 për energji diellore dhe ende asnjë projekt është përfunduar?”, thotë ai.
Eksperti shton se “kam përshtypjen që inflacioni do të jetë më shumë se 5%, duke parë që 30 produkte të shportës së konsumit kanë pasur rritje më shumë se 20%, mendoj se mund të jetë më shumë, mendoni sa e vështirë do të jetë për familjet shqiptare. Një rritje e tillë duke marre pagat mesatare, do të krijojë një barrë shumë të madhe”.
Nga ana e tij, ish-zëvëndësministri i Ekonomisë, Elton Haxhi, parashikon se inflacioni do të ndikohet nga një spirale të rrezikshme. “ Kemi kaluar nga një mungesë të kërkesës në një mungesë të ofertës, dhe kjo mund të rrezikojë edhe rritjen ekonomike, që parashikon guvernatori. Duke patur edhe një presion te çmimet, disa operatorë ekonomikë nuk do të jenë të interesuar të tregtojnë, rrjedhimisht do të kemi edhe frenim të ekonomisë.
Ndërkohë, ekonomisti ish-ministër i Integrimit, Albert Gajo, thumbon edhe politikën e Bankës së Shqipërisë. Sipas tij, “ne aktualisht jemi në terma negative të interesit të lekut, që do të thotë që Banka po mban një qëndrim për të mbështetur qeverinë, nuk po rrit interesin e lekut për mos të rritur borxhin e qeverisë”. (A2 Televizion)