Ujësjellës-kanalizimet, vetëm dy shoqëri nuk dolën me humbje në 2021

Nga A2 CNN
22 Mars 2022, 16:03 | Ekonomi
Ujësjellës-kanalizimet, vetëm dy shoqëri nuk dolën me

Nga 58 shoqëri të ujësjellës-kanalizimeve, vetëm dy arritën të mbulonin të gjitha kostot e tyre vitin e shkuar. Raporti i Entit Rregullator të Ujit evidenton se furnizimi me ujë vazhdon të jetë një shërbim me humbje, 6 vite pas nisjes së reformës në këtë sektor, i varur nga subvencionet e shtetit për të mbijetuar.

Viti 2021 rezultoi një vit stanjacioni përsa i takon treguesve kryesorë të performancës së këtyre kompanive publike. Konkretisht, furnizimi mesatar me ujë mbeti 13 orë e 48 minuta në rang vendi, pa përfshirë zonat rurale. Ndërsa mbulimi u rrit lehtë në 77% të territorit.

Më pozitivisht, ujësjellësat performuan në normën e arkëtimit, pra sasisë së ujit që faturohet dhe paguhet nga konsumatorët, që u rrit në 79,8%. Megjithatë, gati 2/3 e ujit që hidhet në rrjet, vazhdon të mos prodhojë të ardhura.

Në total, të gjitha shoqëritë mblodhën më shumë të ardhura: 10,1 miliardë lekë nga 9,8 miliardë në 2020. Por, rritja e shpenzimeve për koston e punës, pra pagat e stafit dhe kosto e energjisë për ujin që pompohet mekanikisht, bëri që edhe mbulimi i kostove operacionale dhe të mirëmbajtjes të jetë më i vogël.

Duke nisur nga ky vit, Enti Rregullator i Ujit ka ndryshuar mënyrën se si përllogariten tarifat e reja që mund të kërkojnë ujësjellësat, në mënyrë që çmimi për metër kub ujë të mundësojë mbulimin e këtyre kostove dhe diçka më tepër, për të lejuar edhe investimet e nevojshme që mund të bëjnë vetë këto kompani.

Por, nga ana tjetër, reduktimi i fondeve në buxhet këtë vit për investime publike në ujësjellësa dhe kanalizime pritet të ndikojë në moszhvillimin e këtij sektori.

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos