
Shkurtim i ndjeshëm shpenzimesh për të përballuar krizën e çmimeve. Qeveria ka bërë ndërhyrje të forta në buxhetin e këtij viti, si reagim ndaj nevojës urgjente për të financuar importet e energjisë elektrike dhe paketën e rezistencës sociale.
Investimet publike do të mbajnë barrën më të madhe të shkurtimeve me 10 miliardë lekë, apo rreth 90 milionë dollarë më pak nga sa ishte planifikuar në fillim të vitit. Këtu bëhet fjalë kryesisht për rrugët dhe investimet në ujësjellës dhe kanalizime.
Akti normativ parashikon edhe shkurtimin e 3,6 miliardë lekë shpenzimeve operative të pushtetit qendror, kryesisht për mirëmbajtje godinash, mobilim zyrash apo karburant. Ndërsa “thikës” nuk i kanë shpëtuar as pagat e administratës, ku hiqen 2,2 miliardë lekë.
Rrjedhimisht, të gjitha institucionet buxhetore preken nga këto ndryshime, duke nisur nga të gjitha ministritë, së bashku me Presidencën, Kuvendin e deri tek institucionet e drejtësisë.
Të ardhurat nga taksat, ndërkohë, pritet të rriten me 10 miliardë lekë, kryesisht në zërin e TVSH-së, ku qeveria përfiton nga rritja e çmimeve.
Fondet shtesë dhe ato të kursyera ndahen në 6 miliardë lekë për paketën e rezistencës sociale dhe 20 miliardë lekë për mbështetjen e sektorit energjetik, për subvencionin e faturës elektrike për konsumatorët familjarë, biznesin e vogël dhe bizneset në tensionin e mesëm. (A2 Televizion)