
Kliton Gërxhani, nënkryetar i Shoqatës së Tur Operatorëve, deklaroi në “A2 Business”, në A2 CNN, se duhet gjetur mënyra për të stimuluar njerëzit që të vaksinohen, pasi “nuk bëhet shaka me ekonominë e vendit”.
“Kemi dy vite që po presim që të bëjmë biznes, pasi turizmi nuk ka bërë ndonjë punë të madhe këtë periudhë. Është luks i tepërt të diskutohet vaksina. Para dy vitesh nuk kishim zgjedhje, do të mbylleshim të gjithë. Por, sot, kur e kemi zgjedhjen, ai që nuk e do vaksinën nuk mund të dëmtojë pjesën tjetër. Shikoni se çfarë bëhet në vendet fqinje, ka forma të ndryshme dhe duhet gjetur mënyra për të stimuluar rritjen e vaksinimit. Nuk bëhet shaka me ekonominë e vendit. Duhet të mendojmë për dimrin dhe vitin 2022, pasi me këto shifra vaksinimi, nuk të vijnë turistët e huaj. Do të zgjedhin vende me përqindje më të lartë të vaksinuarish. Duhet një fushatë ndërgjegjësimi. Mund të shkojmë drejt një mbylljeje që do të na dëmtojë të gjithë. Nëse nuk nis fushata, njerëzit nuk do ta marrin seriozisht”, deklaroi Gërxhani.
Sipas Kastriot Sulkës, nga Instituti për Studime Ekonomike dhe Sociale, fajin e ka politizimi i pandemisë: “U politizua një çështje që ishte vetëm çështje e mjekëve dhe shkencëtarëve. Duke qenë se ishim të papërgatitur, ne filluam e bërtitëm për maskat që nuk na duhen se nuk nga mbronin. Pastaj i vendosëm maskat. Më pas, nisën edhe masat politike. Ndaj një politizimi të tillë, njerëzit reagojnë dhe e shohin si diçka partish. Jemi kontradiktorë për vaksinimin. Jemi nga më të mirët në botë për vaksinimin e fëmijëve, ndërsa për vaksinën ndaj Covid-19 u përzie rëndshëm pjesa politike. Ajo që mori vendimet, ishte një trupë mirëfilltë e politizuar”.
Eksperti i ekonomisë, Bardhi Sejdarasi renditi kostot e përqindjes së ulët të vaksinimit në vendin tonë: “Kostoja e parë do të jetë paaftësia e përkohshme në punë. Kosto tjetër do të jetë nëse mbyllet ndonjë sektor i prodhimit. Më pas, janë edhe kostot individuale”.
Ndërsa Fatos Çoçoli theksoi: “Kostot do të jenë shumë të mëdha. Investimet e huaja direkte do të binin edhe më tej. Nga ana tjetër, nuk po arrijmë dot të bindim qytetarët lidhur me domosdoshmërinë e vaksinimit. Mendoj se dhe një subvencionim për vaksinimin do të ndihmonte. Buxhetit të Shtetit nuk do t’i kushtonte shumë, ndërkohë që do të kishte shumë përfitime”. (A2 Televizion)