
Motoristët që shpërndajnë kryesisht ushqime janë burim potencial për t’u përfshirë në aksidente rrugore. Sipas Inspektoratit Shtetëror të Punës, kjo kategori përbëri 31 për qind të totalit të aksidenteve të ndodhura në punë gjatë vitit të shkuar.
“Ata kanë qenë, janë dhe do të mbeten rrezik për aksidente. Sot titulli “motorist” po i jepet gjithkujt, mjafton që të dijë të drejtojë mjetin”, thotë për A2 CNN Arben Luzi, ekspert për sigurinë rrugore.
Shpeshherë, nën presionin e kohës për të dorëzuar pa vonesa porositë për shkak të trafikut, shpërndarësit rrezikojnë të përfshihen në aksidente. Ndaj sipas Inspektoratit të Punës, sektori ka nevojë për ndryshime.
“Drejtimi i këtyre mjeteve lë shumë për të dëshiruar. Futen në parakalime mes dy mjeteve, kalojnë përpara mjeteve, ndryshojnë herë pas herë korsitë, gjë që ka sjellë aksidente të mëdha”, thotë Luzi.
Vetëm në Tiranë numërohen mbi 500 motoristë të angazhuar në shpërndarjen e produkteve, ndërsa shifrat mund të jenë edhe më të larta pasi një pjesë e tyre veprojnë në informalitet. (A2 Televizion)