
Mazhoranca ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për ngritjen e një Komisioni Hetimor për Investimet Strategjike. Pasi nuk u miratua futja në rendin e ditës e kërkesës për komisionin hetimor në 31 maj nga Konferenca e Kryetarëve, kryeparlamentarja Lindita Nikolla e ka hedhur në votim gjatë seancës së sotme futjen e kësaj kërkese në rendin e ditës dhe ajo është rrëzuar me votat e mazhorancës.
Ky vendim ka sjellë reagimin e kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj i cili u shpreh se kjo është bërë në kundërshtim të rregullores së Kuvendit.
“Kërkesa të tilla që fusni ju në votim, janë jashtë rregullores. Ju e vendosët ta fusni sot. Sipas rregullores, ai vendim duhet të debatohet, diskutohet. Për këtë arsye në rendin e ditës të dalë dje, kjo nuk ishte. Kërkesa ime është që kjo çështje të ketë kohën e duhur për ta diskutuar nga seanca plenare nga të gjithë deputetët. Kalimi në mënyrë të fshehtë, nuk ju bën nder as ju dhe as parlamentit”, tha Alibeaj.
Në përgjigje të tij, ka reaguar edhe kreu i grupit socialist Taulant Balla, sipas të cilit, kërkesa bëhet nga fillimi, kur një deputet tërhiqet.
“Duhet të kuptosh zotëri, firma hidhet vetëm njëherë. Nuk mund ta marrësh firmën e një firmëtari dhe ta transferosh në një dokument tjetër. 35 firma të administruara për një dokument të datës 25 maj, u ishin shtuar dhe dy firma të reja. Duke bërë shënime që deputeti x është tërhequr. Kanë shkelur me të dyja këmbët ligjin bazë, atë të respektit të dokumenteve zyrtare. Keni shkelur ligjin zotëri. Nuk ka ndodhur kurrë. Të marr unë një palë firma që të bëra në shtator. Kur depoziton një kërkesë të re, ndryshon dokumenti. Mendova se ju e përmbyllët këtë çështje. Mblidhini të njëjtët firmëtarë dhe hajde të bëjmë debatin. Debati zhvillohet kur kërkesa përmbush kriteret formale. I përmbush kriteret formale me një deputet që thotë se është tërhequr. Kërkesën bëjeni nga fillimi për të plotësuar kriterin formal. Ndërthuren të dyja rregullorja e Kuvendit dhe plotësimi. Minimalisht është i falsifikuar. Është detyra primare e Kryetarit të Kuvendit, që të shikojë nëse dokumenti plotëson kushtet opitmale. Kur ndryshon numri i protokollit të një dokumenti ka ndryshuar dokumenti”, theksoi Balla. (A2 Televizion)