
Zv.kryeministri Arben Ahmetaj la të kuptohej se qeveria nuk do të ulë nivelin e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH), në mënyrë që të kontribuojë në uljen e çmimit të karburanteve, i cili në javët e fundit ka pësuar rritje të ndjeshme.
Për çdo litër naftë, që aktualisht shitet me 258 lekë, qeveria arkëton momentalisht nga TVSH 51,6 lekë, nga 36 lekë që arkëtonte më parë.
“Të gjitha të ardhurat shtesë duhet të gjykohen në hapësirën e një viti, se jemi vetëm në 3 muaj. Nuk e dimë çfarë do të ndodhë me ekonominë”, tha Ahmetaj duke iu përgjigjur pyetjes së A2 CNN.
“Ne jemi të përgatitur të përballojmë detyrimet që shteti ka me pensionistët, për personat që marrin ndihmë sociale, edhe në të ardhmen, nëse do të ishte nevoja, edhe për peshkatarët, fermerët dhe kategoritë e grupeve të tjera që mund të kenë nevojë”. (A2 Televizion)