
Instituti arsimor “Turgut Ozal Education” humbi përballjen e parë gjyqësore me Ministrinë e Arsimit në lidhje me urdhrin për mbylljen e kopshtit të fëmijëve “Zubeyde Hanëm”.
Gjykata Administrative refuzoi këtë të hënë kërkesën e bërë nga “Turgut Ozal” për sigurimin e padisë së bërë prej tyre kundër urdhrit të Ministrisë së Arsimit. Në thelbin e kërkesës së sigurimit të padisë ishte pezullimi i zbatimit të urdhrit të Ministrisë për heqjen e licencës së këtij kopshti, deri në përfundim të procesit gjyqësor të padisë.
Gjyqtarja Afërdita Maho arsyetoi në vendim se “Turgut Ozal” nuk provoi se zbatimi i urdhrit të ministrisë shkaktonte një dëm të rëndë dhe të pakthyeshëm për paditësit. E kundërta u pretendua në sallën e gjyqit, por edhe jashtë saj, nga përfaqësuesi ligjor i kopshtit ku edukoheshin 253 fëmijë.
“Dëmi është i pakthyeshëm. Shkolla nëse ditën e nesërme do të pretendojnë kthimin e shumës, ose fitimin e munguar, apo dëmin e shkaktuar, duhet të riinvestojë në imazh, duhet të riinvestojë në marrëdhëniet me klientët, me prindërit, që do të jenë larguar nga ky institucion”.
Në sallën e gjyqit, përfaqësueset e Ministrisë së Arsimit kërkuan rrëzimin e kërkesës me pretendimin se institucioni arsimor kishte ndërruar godinën pa marrë miratimin e tyre, dhe se nuk ishin marrë masat e duhura për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të fëmijëve.
Sipas tyre, institucioni kishte mangësi në kushtet higjieno-sanitare, infrastrukturore, si edhe në masatanti-coivid. Pretendimi i tyre u mbështet edhe nga Avokatura e Shtetit, palë në proces. Kopshti “Zubejde Hanëm”,u mbyll ligjërisht në 15 shtator, pas një urdhri të Ministrisë së Arsimit për heqjen e licencës së tij. (A2 Televizion)