
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për situatën e krijuar së fundmi në Veri të Kosovës. Në një postim në Twitter, kreu i qeverisë i bën thirrje Beogradit që të ushtrojë ndikim mbi serbët që jetojnë në Veri të Kosovës ndërsa kërkon po ashtu që veprimet e tyre të mos justifikohen.
Rama dënon po ashtu sulmet mbi EULEX-in dhe policisë së Kosovës ndërsa shton se rishfaqja e barrikadave në Veri të Kosovës bie ndesh me ligjin dhe frymën e dialogut që duhet të ekzistojë mes dy vendeve.
Shtyrjen e votimeve në Veri, kryeministri e cilëson si një “sinjal kuptimplotë” që, sipas Ramës, autoritetet e larta të Beogradit duhet t’i përgjigjen me të njëjtën frymë përgjegjësie dhe të mos lejohet përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës.
Kujtojmë se shpërthime dhe sulme me armë zjarri ndaj policisë së Kosovës dhe Eulex-it janë raportuar në orët e fundit në veri të vendit.
Serbët atje kanë vendosur dhe barrikada në rrugët kryesore.
Një prej shpërthimeve u dëgjua rreth orës 1:30 pas mesnatës dhe tjetri në ora 3:00 janë dëgjuar afër Zveçanit, ndërsa në drejtim të Zubin Potokut ka pasur edhe të shtëna armësh. (A2 Televizion)