
Para përballjes me grupin parlamentar demokrat të cilët i kërkojnë të dorëhiqet nga drejtimi i PD-së, Lulzim Basha në një deklaratë për gazetarët reagoi ndaj rritjes së çmimeve dhe protestës popullore në vend.
Ai tha se pavarësisht situatës së brendshme që po kalon PD nuk e harron detyrën në mbështetje të qytetarëve.
Basha i kërkoi qeverisë që të bëjë hapa konkrete përballë kësaj situate dhe jo premtime boshe.
I kërkova qeverisë t’i dalë përpara rritjes së çmimeve duke përdorur ato mekanizma që lehtësojnë qytetarët dhe zhbëjnë padrejtësitë. Kërkova eliminimin e taksës së qarkullimit dhe lehtësimin e disa taksave të tjera, heqjen e TVSH për ushqimet. Reagimi qytetar ka mbështetjen tonë dhe qeveria është tallur dhe ka bërë veshin e shurdhër është përgjigjur me dhunë policore. Një taktikë e tmerrshme abuzive dhe fytyra e një kryeministri të shkëputur nga realiteti. Sot dua të vendos theksin te nevoja imediate për t’i ardhur në ndihmë njerëzve që çmimet të mbahen nën kontroll nuk mjaftojnë fjalët boshe, por duhet hedhur në veprim. Është momenti të veprosh. Ndërkohë që çmimi i naftës rritet, rriten të ardhurat e qeverisë. Ndaj po e them paraprakisht që pavarësisht situatës së brendshme që po kalon PD ne në asnjë moment nuk e harrojmë detyrën tonë. Demokratët janë dhe do jenë në krye të kësaj beteje. Qeveria shton të ardhurat, shton retorikën dhe dhunën ndaj qytetarëve”, theksoi Basha. (A2 Televizion)