
Pensionistët, familjet që marrin ndihmë ekonomike, fermerët dhe popullata më lehtësisht e cenueshme do të mbështetet nga qeveria për të përballuar rritjen e çmimeve.
Pak orë pas përfundimit të protestës së katërt, kryeministri Edi Rama prezantoi edhe shtatë shtyllat e të ashtuquajturës “Paketa e Rezistencës”.
Fondi i ndihmës do të ofrojë 36 milionë dollarë për indeksimin e pensioneve, subvencionimin e inflacionit te çmimet e konsumit, 14 milionë dollarë për naftën pa taksa, 5 milionë dollarë për subvencionimin e biletave të transportit, zerimin e taksave për pagat deri në 40 mijë lekë si dhe 200 milionë dollarë për energjinë elektrike.
Lidhur me kërkesën për heqjen e taksave të naftës, Rama dha këtë përgjigje: “Taksat e naftës nuk do të hiqen dhe këtë nuk ka protestë me drita iPhone dhe bllokim rrugësh me goma X5 që e zhbën. Taksat e naftës nuk do të hiqen sepse çmimi i energjisë nuk do të rritet. Ky është thelbi i arsyes së kësaj zgjedhjeje. Duhet ta fusin mirë në kokë ata që flasin pa u informuar, se ato 290 milionë eurot që do të duhet t’i paguajmë deri në fund të vitit për të mos ngarkuar familjet për faturën e energjisë, nuk i paguajmë dot nëse mbajmë në të njëjtën kohë taksat më të ulëta në rajon”.
Me prezantimin e paketës së rezistencës, Shqipëria i bashkohet vendeve fqinje të cilat kanë miratuar nisma të ngjashme me qëllim përballimin e rritjes së kostove të jetesës.
Pikat e paketës së rezistencës sociale:
1- 3.6 miliardë lekë ose 36 milionë USD, për indeksimin e menjëhershëm të pensioneve. Kjo masë do të reflektohet që në pensionin e radhës së 673.542 pensionistëve.
2- Për 434 mijë përfitues, do të kompensojmë me lekë në dorë rritjen e çmimeve të shportës, e cila bazuar në përllogaritjen e INSTAT-it është 7% ose e kthyer në rritje mbi konsumin mesatar të llogaritur përpara goditjes, është 25 mijë lekë të vjetra.
Qeveria do të japë 30 mijë lekë të vjetra, për 3 muaj rresht, për këto kategori:
- Pensionistë që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale
- Pensionistë të invaliditetit
- Pensionistë që jetojnë vetëm
- Persona me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër
- Të gjitha familjet që janë aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike
3- Mbështetja për fermerët me naftë pa taksa do të shkojë në 1.4 miliardë lekë ose 14 milionë USD, me një shtesë plus prej 5 milionë USD e cila do të derdhet menjëherë.
4 - Qeveria do të mbështesë të gjithë shqiptarët që përdorin linjat urbane, qytetase dhe ndërqytetase, duke derdhur menjëherë 500 milionë lekë ose 5 milionë dollarë, për të paguar diferencën e çmimit të biletës, në mënyrë që asnjë udhëtar të mos preket nga ndryshimi i çmimit.
5 - Afrojmë dy muaj përpara futjen në fuqi të ligjit për zerimin e taksës mbi pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra, përgjysmimin e taksës mbi pagat deri në 500 mijë lekë të vjetra, si edhe uljen e takses mbi pagat nga 1.5 deri në 2 milionë të reja.
Këto masa lehtësuese do të reflektohen në pagat e prillit dhe prej tyre do të përfitojnë 360 mijë të punësuar.
Numri i të punësuarve në Shqipëri që paguajnë zero taksë mbi pagën, arrin një shifër që s’e ka askush në rajon, 56%!
6 - Afrojmë dy muaj përpara edhe futjen në fuqi të ligjit për pagën minimale, e cila në prill do të bëhet 320 mijë lekë të vjetra.
7 - Shtojmë me 20 miliardë lekë të reja ose 200 milionë USD, financimin e mburojës së çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël. (A2 Televizion)