Rritja e çmimit të naftës, Ibrahimaj: Jemi në ekonomi të lirë tregu, nuk mund të ndërhyjmë në çmim

Nga A2 CNN
2 Shkurt 2022, 12:58 | Politikë
Rritja e çmimit të naftës, Ibrahimaj: Jemi në ekonomi

Delina Ibrahimaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë, deklaroi se rritja e mëtejshme e çmimit të naftës në vendin tonë ndikohet nga bursat ndërkombëtare dhe qeveria mund të ndërhyjë vetëm me politika mbrojtëse për konsumatorin, por jo në çmimin e naftës, pasi “ne operojmë në një ekonomi të lirë tregu”.

Pyetjes së A2 CNN, ministrja iu përgjigj: “Rritja e çmimit të naftës ka qenë subjekt rritjeje në të gjitha vendet e rajonit dhe Europës. Çmimi i naftës ndikohet nga bursat ndërkombëtare, ne po monitorojmë në mënyrë që të shohim se ku mund të ndërhyjmë. Por, dua të them se jemi në një ekonomi të lirë tregu dhe nuk mund të ndërhyjmë në çmime. Por, sipas ekspertëve, pritet që çmimet të ulen në 6-mujorin e dytë dhe nuk do të ketë nevojë për të ndërhyrë në politika”.

Kur u pyet nëse mund të hiqet një pjesë e taksave të naftës, ministrja tha: “Politikat e taksave nuk mund të ndikohen nga lëvizja e çmimeve”.

Në lidhje me mbledhjen e qeverisë, Ibrahimaj theksoi se në të “u miratua vendimi për mbështetjen sociale për punonjësit dhe ish-punonjësit e rafinerisë së naftës në Ballsh. Përgjatë vitit 2022, ata do të marrin një pagesë të barabartë me pagën minimale, përfshirë dhe kontributet shoqërore dhe shëndetësore”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos