Rritja e fluksit të pushuesve, mungesa e punonjësve dhe euro, sprovë për turizmin

Nga A2 CNN
26 Qershor 2023, 16:02 | Ekonomi
Rritja e fluksit të pushuesve, mungesa e punonjësve dhe euro,

Optimistë dhe skeptikë në të njëjtën kohë. Kështu shprehen operatorët turistikë teksa sezoni veror i drejtohet pikut të tij më të nxehtë. Shqipëria po ngjitet me shpejtësi në renditjen ndërkombëtare të turizmit, por vendi mund të përballet me një sprovë të madhe për shkak të mungesës së punëtorëve.

Ekspertët druhen se përballë fluksit të vizitorëve, pritet të ketë një sërë ankesash për mungesën e kushteve.

“Nëse ne nuk ndërhyjmë tregu vetë do ndërhyjë ta sistemojë këtë gjë. Që do të thotë nëse do kemi më pak personel të kualifikuar, më pak njerëz që punojnë në turizëm, shërbimi do jetë më i dobët, më i keq kundrejt volumit që rritet i vizitorëve. Dhe do marrim pakënaqësitë e para siç mund të ketë, reagimet online, dhje kjo do ulë vlerësimet për këtë destinacion, Shqipërinë”, shprehet Kliton Gërxhani.

Zgjidhja që një sërë biznesesh ndërmorën për importimin e stafit të huaj, sipas Gërxhanit, është vetëm një masë e përkohshme dhe e pamjaftueshme.

“Kjo është një kamerdare shpëtimi por nuk besoj se të nxjerr gjatë, duhet të mendojmë seriozisht si do e zgjidhim këtë problem siç mendon çdo shtet i botës për të kompensuar këtë staf dhe duke mbjellë farën e parë sot që të korrim fitimet pas disa vitesh..”

Por përtej mungesës së punonjësve, operatorët e industrisë, kthejnë sytë edhe nga mangësitë në infrastrukturë.

“Ne akoma nuk po stabilizojmë strukturën bazë të turizmit higjiena, uji i pijshëm, energjia elektrike, koshat e plehrave, dushet nëpër plazhe. Në shumë destinacione na mungon struktura bazë. Ne nuk jemi gati për të pritur këtë sasi turistësh”.

Një tjetër risk që mund të pengojë kënaqësinë e bizneseve në këtë bum turistësh ka të bëjë me zhvlerësimin e mundshëm të euros ndaj lekut, që aktualisht është 10% më i ulët se e njëjta periudhë e një viti më parë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos