Rritja e pagave, Danaj: Artificiale, në vit krize, rrezikojmë falimentin

Nga A2 CNN
8 Tetor 2020, 12:39 | Ekonomi
Rritja e pagave, Danaj: Artificiale, në vit krize, rrezikojmë

Nismat për rritjen e pagave janë pozitive, por jo kur bëhen në kushtet ekonomike aktuale të vendit dhe në prag të zgjedhjeve. Eksperti i ekonomisë, Vjoldi Danaj vlerëson se zotimi i qeverisë për të rritur me 40% pagat e mjekëve dhe me 15% të mësuesve, nuk do të japë efektin e dëshiruar.

“Unë nuk mendoj se me këtë rritje pagash, shteti shqiptar apo të rinjtë shqiptar që studiojnë mjekësi, doktorë apo çfarëdo qofshin do të qëndrojnë në Shqipëri. Sepse nuk është vetëm çështja e pagave që i bën ata të largohen. Është i gjithë sistemi. Por unë mendoj se kjo rritje page do të shoqërohet dhe me një rritje të inflacionit”, u shpreh Vjoldi Danaj.

Sipas Danaj, rritja e pagave duhet të ishte e mirëmenduar dhe të reflektohej edhe në sektorë të tjerë që sot janë më të nënpaguar. Nga ana tjetër, rritja krijon një presion të madh fiskal për financat publike.

“Çdo qeveri që do të vijë pas 25 prillit do të përballet me këtë problem ekonomik dhe kjo rritje pagash do e thellojë më shumë buxhetin e shtetit. Krijohen gropa në buxhet që nuk kanë mundësi për t’u mbushur. Një shtet i tillë nëse vijon me këtë lëvizje shkon drejt falimentit”, shtoi Danaj.

Kostot në buxhetin e shtetit për këtë rritje pagash llogariten në 8 miliardë lekë, një kosto që vetë ministrja Denaj është më e lartë sesa ishte parashikuar në projekt buxhetin afatmesëm, dokumentit mbi të cilin bazohet e gjithë strategjia që ndjek qeveria në hartimin e politikave ekonomike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos