
Eksperti i ekonomisë, Majlind Lazimi u shpreh skeptik në lidhje me planin e qeverisë për të rihapur bastet sportive, pasi që nga koha që u mbyllën, në treg u shfaqën aktivitete joligjore që e vijuan këtë biznes për vite me radhë dhe grumbulluan sasi të mëdha parash.
Sipas Lazimit, duhet të përcaktohet qartë se si lojtarët që kanë luajtur në këto kompani do të kthehen dhe do të luajnë në kompanitë që do lejojë shteti, ndërkohë që financimin e sportit nga këto taksa nuk e sheh si mënyrën e duhur.
“Pikëpyetja ime është se nëse sot kemi një aktivitet joligjor, lojtarët luajnë në tregje ndërkombëtare. Kush siguron që këta lojtarë do të kthehen të luajnë këtu? Unë nuk mendoj që kjo është mënyra e duhur për të financuar sportin. Unë jam dakord që këta njerëz që luajnë ta bëjnë këtë dhe paratë të shkojnë për buxhetin e shtetit”, tha Lazimi.
Kreu i KOKSH, Fidel Ylli nga ana e tij shtoi se hapja e basteve do të ketë dhe legjislacionin e posaçëm i cili parashikon sanksione të rënda deri në 3 vite burg për ata që do të vijojë aktivitetin me bastet e paregjistruara. (A2 Televizion)