Rrjeti i informatorëve, Fishta: I dëmtuar për shkak të lëvizjeve në polici

Nga A2 CNN
27 Maj 2020, 19:49 | Aktualitet
Rrjeti i informatorëve, Fishta: I dëmtuar për shkak të

Fillimisht lëvizjet pa kriter të oficerëve, por edhe drejtuesve. Për hetimin e krimeve të një zone, ngritja e rrjetit të bashkëpunëtorëve kërkon kohë dhe më së shumti bëhet mbi bazë besimi reciprok, por kur lëvizjet e specialistëve të tillë bëhen 2 ose çdo 3 muaj kjo ndikon negativisht.

Mjaft ngjarje të rënda, të cilat mbeten ende të pazbardhura vijnë si pasojë e informacionit të pakët të policisë mbi to.

“Një inspektori krimesh në terren i duhet një kohë e gjatë për t’u ambientuar me situatën operative në terren ose gjendjes kriminale të zonës që ai mbulon. Dhe gjatë kësaj kohe duhet të ndërtojë dhe punën e tij në lidhje me parandalimin dhe zbulimin e krimit duke aktivizuar të gjitha mjetet që i jep ligji, siç është dhe marrja e informacionit nëpërmjet bashkëpunëtorëve. Largimi i tyre sjell pasoja pasi krijon një shkëputje. Një oficeri të ri sapo të vijë në detyrë do t’i duhet kohë të orientohet”, u shpreh Sadedin Fishta.

Një nga arsyet e tjera sipas Fishtës është dhe shkolla e policisë, e cila prej një dekade nga viti 2004 nuk ka nxjerrë hetues të posaçëm.

“Policia e Shtetit mbylli shkollën e lartë të oficerëve. Me mbylljen e kësaj shkolle në vitin 2004 u ndërpre nxjerrja e oficerëve të cilët ishin të përgatitur me formim profesional për hetimin e krimeve”, shtoi kreu i sindikatës së policisë, Fishta.

Një pjesë e ish-drejtuesve të policisë u liruan nga radhët në vitin 2013-2014 ndonëse shumë prej tyre ishin specialist, por edhe hetues të ngjarjeve të rënda.     (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos