
Deputetja socialiste Antoneta Dhima ka ndarë në rrjetet sociale lajmin e mirë se djali i saj i cili disa ditë më parë rezultoi i prekur nga koronavirusi tashmë është shëruar nga kjo sëmundje.
Ligjvënësja e Kuvendit të Shqipërisë falenderon të gjithë mjekët që janë në frontin e parë përballë kësaj lufte me armikun e padukshëm dhe përsëriti thirrjen drejtuar qytetarëve që të vijojnë të qëndrojnë në shtëpi që ku virus të zhduket sa më shpejt.
Postimi në Facebook i deputetes Antoneta Dhima
E lumtur dhe e gëzuar që biri im e mposhti armikun e padukshëm, atë armik me të cilin shumë të tjerë po vijojnë betejën.
Falenderimet shkojnë për të gjitha bluzat e bardha, mjekët, infermierët, epidemiologët, imazheristët, laborantët dhe stafet mbështetëse, në Fier, Tiranë e kudo. Jeni ju që luftoni në frontin e parë të kësaj lufte globale, një lufte që me këmbëngulje e forcë ne do ta fitojmë.
Edhe pse nuk zgjodha të jepja lajmin për nisjen e kësaj lufte, jam e ngazëllyer që tani i uroj tim biri shëndet dhe jetë, dhe po i njejti urim shkon për të gjithë ju, që vazhdoni të kuroheni nga ky virus, që nuk zgjedh, duke na kujtuar se të gjithë jemi të barabartë.
Faleminderit të gjithëve për sakrificën e pamasë që bëni në këtë periudhë të vështirë.
Qofshi të bekur të gjithë ju që mjeksinë nuk e keni thjesht një profesion, por një mision që ju vendos përditë përballë sfidave, edhe të panjohura.
Faleminderit edhe të gjithëve ju miq dhe mikesha që në këto ditë të vështira më qëndruat pranë me mesazhet e telefonatat Tuaja, duke treguar se miqtë më të mirë, janë ata që nuk të harrojnë në ditë të vështira.
Ne vazhdojmë të qëndrojmë në shtëpi, bëjeni dhe ju.
Dhe kujtoni, që vetëm bashkë do t'ia dalim! (A2 Televizion)