
Teksa turizmi në vend, kryesisht ai veror, po rritet ndonëse me hapa të ngadaltë, nevoja për investime në këtë sektor mbetet më e domosdoshme se kurrë. Sipërmarrës e operatorë turistikë në vendin fqinj, Itali, u rekomandojnë bizneseve shqiptare të rrisin kapacitet për të thithur më pas pushues elitarë.
Pushues po vijnë, por a jemi gati për të rritur standardet dhe kapacitet për të shkuar drejt turizmit elitar? Është kjo pyetja që po shoqëron përherë edhe më shumë dinamikat në sektorin e turizmit. Emiliano Biraku, President i Konfederatës së Bizneseve në Venecia të Italisë e njëherazi drejtues për Turizmin, Inovacionin dhe Digjitalizimin në këtë rajon, teksa vlerëson rritjen e këtij sektori në Shqipëri, kërkon më shumë cilësi shërbimi dhe infrastrukturë.
Biraku këshillon edhe rrugëzgjidhje për bizneset dhe operatorët turistikë shqiptarë për të siguruar fonde me qëllim rritjen e kapaciteteve.Organizata Botërore e Turizmit vlerëson se Shqipëria përfiton më shumë se 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto direkt dhe indirekt nga turizmi, duke e renditur vendin ndër shtetet që ka varësinë më të lartë nga ky sektor. (A2 Televizion)