Rruga Milot-Fier, Alibeaj: Projekt fantazmë, tenderi nuk ekziston

Nga A2 CNN
6 Korrik 2020, 12:51 | Politikë
Rruga Milot-Fier, Alibeaj: Projekt fantazmë, tenderi nuk ekziston

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, u shpreh se “projekti Milot-Fier është akoma një projekt fantazmë”.

“Për të ekzistojnë vetëm fjalët e kryeministrit dhe ministres së Infrastrukturës. Tenderi nuk ekziston i shpallur në faqen përkatëse të prokurimeve, megjithëse, gjatë shfaqjes propagandistike 5 ditë më parë, Ministrja e Infrastrukturës premtoi ndryshe”, tha Alibeaj.

“Koncesioni i rrugës Milot-Fier është një nga vendimet më korruptive dhe që vjedh më shumë qytetarët shqiptarë” 1.2 miliardë euro është kosto e fryrë, deri në 6 fish më e lartë se bypass i Fierit, në mënyrë që tarifa e udhëtimit të jetë e lartë dhe ata që janë përfshirë në këtë aferë të pistë, të pasurohen akoma më shumë duke vjedhur qytetarët. Projekti Milot-Fier është bërë me urgjencë dhe është trajtuar si një plan i vërtetë grabitje. Për këtë projekt nuk ka dokumenta, nuk dihet  si u përzgjodh, nuk dihet kush e mori vendimin që rruga të bëhet me koncesion, nuk duhet si u përzgjodh konsulenti që doli në konkluzionin se rruga kushton 1.2 miliardë euro dhe një udhëtim kushton 17.4 euro”, shtoi Alibeaj.

Alibeaj i drejtoi disa pyetje ministres Belinda Balluku dhe kryeministrit Edi Rama: “Belinda Balluku, po të dojë, edhe Edi Rama, duhet t’u japin përgjigje të qarta disa pyetjeve elementare: Pse nuk është shpallur akoma tenderi dhe dokumentet e tij? Si u përzgjodh projekti i Milot-Fier? Kush e mori vendimin që rruga të bëhet me koncesion? Si u përzgjodh konsulenti i rrugës 1.2 miliardë euro?
Belinda Balluku duhet të bëjë transparencë dhe të mos fshihet pas fjalive me dy kuptime! Shqiptarët, të cilët ajo dhe Edi Rama duan i detyrojnë të paguajnë 17.4 euro për një rrugë që është e ndërtuar aktualisht në më shumë se gjysmën e saj, kanë të drejtë të njihen me çdo akt, që përkthehet në kosto marramendëse për ta”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos