Në vazhdën e takimeve të tij me bizneset, kreu demokrat Lulzim Basha u ndal këtë të diel në qytetin e Korçës.
Kryetari Basha u shpreh se gjendja ekonomike e vendit është e rëndë dhe sipas tij, ndryshimi do të vijë menjëherë me programin ekonomik të Partisë Demokratike, i cili do të zbatohet sapo të vijë në pushtet. Sipas tij, ky do të jetë edhe prioriteti numër një i qeverisë që do të dalë nga zgjedhjet e ardhshme.
“Së pari, do të çlirojmë biznesin nga ankthi, nga klima e tmerrshme e biznesit në të cilën është zhvendosur për shkak të terrorit qeveritar dhe të administratës duke futur në karantinë inspektoratet. Në mënyrë që këta njerëz të mos përballen nga mëngjesi deri në darkë sa ngrenë qepenat, ulin qepenat me inspektorë, me lloj-lloj taksidarësh që vijnë sa për xhepat e tyre edhe për xhepat e pushtetarëve. Së dyti duke vendosur një sistem taksash konkurrues për rajonin, sa i përket biznesit të vogël, 140 milion lekë e poshtë do të kenë një taksë 0.5% e xhiros vjetore.
Çdo taksë tjetër lokale apo qendrore, çdo tatim tjetër do të zhduket. Do të ketë vetëm një taksë dhe asnjë tarifë tjetër. Së treti, për biznesin e madh ne do të vendosim taksën e sheshtë 9% e cila do të synojë që më shumë para të mbeten për investime, për hapje vende pune, të cilat natyrisht për çdo vend të ri pune do të thotë më shumë konsum. Dhe më shumë konsum do të thotë edhe më shumë mundësi edhe më shumë të ardhura në xhepat e njerëzve edhe më shumë xhiro për sipërmarrjen. Ky është prioriteti numër një i Partisë Demokratike, i programit tonë ekonomik. Ky është prioriteti numër një i qeverisë që do të dalë nga zgjedhjet e ardhshme dhe ky është prioriteti im i parë dhe kryesor, ekonomia juaj, punësimi dhe mirëqenia”, tha Basha. (A2 Televizion)