Rruga Milot-Fier, Tomorri: Kostot e ndërtimit dhe tarifat, dy herë më të larta, nuk do të jetë e gjitha me standard "A"

Nga A2 CNN
2 Korrik 2020, 20:54 | Aktualitet

Qeveria paraqiti dje projektin e autostradës Milot-Fier, pjese e asaj që ajo gjykon si boshti shqiptari autostradës Adriatiko-Joniane. Por pikëpyetjet mbi këtë projekt janë të shumta, duke filluar nga momenti në të cilin ndodhet vendi dhe kostot e shpalosura nga vetë kryeministri Rama. Sipas gazetarit të Ekonomisë Klodian Tomorri, duhen ndarë fillimisht gjerat. “Sigurisht që infrastruktura është një nga shtyllat e ekonomisë së një vendi, dhe kriza e shkaktuar nga pandemia kërkon një program agresiv investimesh për të ringritur ekonominë edhe t’iu rikthyer rritjes. Çështja është tjetër, si i ndërtojmë ne rrugët, a i maksimizojmë kostot, a e bëjmë me transparence dhe me garë të hapur”, thotë gazetari. Po me këtë projekt? “Në këtë rast kemi një projekt që duket sikur i mbirë nga hiçi. Është e vërtetë që ka një studim të BE për segmentin Adriatiko-Jonian, por ky projekt është një sajesë e re”. Sipas tij, “kriteri kryesor i përzgjedhjes nuk është origjina e kompanisë apo çmimi i favorshëm . A e kanë kompanitë shqiptare mundësinë për ta ndërtuar? Po, sepse projekti nuk ka vështirësi të madhe teknike, 115 kilometra që nuk kalojnë në terren sfidues, pjesë e rrugës thjesht do të përmirësohet ndërkohë që rruga e re do të jetë pak më shumë se 50 kilometra. Për këtë do të paguajmë 1.2 miliardë euro, një shumë tejet e madhe kjo. Ekspertët thonë që kostoja në rastin më të mirë do të ishte 600 milionë euro, dy herë më pak se shifra e propozuar nga qeveria”. Sipas tij ka edhe probleme standardi. “Korridori Adriatiko-Jonian, që shkon nga Trieste në Stamboll, ishte parashikuar që të ndërtohej e tëra me standardin A1, ndërkohë që pjesë e këtij projekti do të ndërtohet me standardin B, nga Luzi në Lekaj. Kjo është pranuar nga vetë ministria për shkak të kostove të larta të shpronësimet”, vijon gazetari për A2. Sipas tij, në fund do të jenë sërish qytetarët që do të paguajnë deri në fund koston e ndërtimit dhe fitimet që do të ketë kompania private. “Tarifa e parashikuar është të paktën dy herë sipër kostos së përballueshmërisë së familjeve shqiptare, që sipas disa studimeve është 3.5 euro për 100 kilometër, ndërkohë që këtu shkon 9 euro për 100 kilometër me TVSH, rekord edhe për vende në BE”, duke kaluar shumë herë edhe kostot e disa projekteve të tjera të anuluara më parë, si ai Thumanë-Kashar. Tomorri mendon edhe se tarifa të tilla mund të kenë impakt negativ edhe në turizëm. “Çfarë t’ i themi turistit kosovar që fillon të paguajë në Kukës, pastaj në Milot, në Fier, ndoshta diku tjetër? Më mirë të marr avionin”, thotë ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos