Partizani nisi me fitore sezonin e ri te Kategorisë Superiore duke mundur debutuesit e Vorës me rezultatin minimal 1-0. Të kuqtë zhvilluan një ndeshje në sulm që nga minuta e parë, dhe përfituan nga një autogol i shpejtë i Repajt, i cili vendosi ritmin e takimit dhe i dha avantazhin ekipit mikpritës.
Megjithatë, Vora nuk u tërhoq dhe reagoi me disa sulme të rrezikshme, ku Kasalla dhe Luis Felipe patën mundësi për të barazuar, por nuk arritën të konkretizonin rastet. Pjesa e parë dhe e dytë u karakterizuan nga ndërhyrje të forta dhe disa kartonë të verdhë, duke bërë ndeshjen më të tensionuar, shkruan A2 CNN.
Incidenti më i diskutueshëm erdhi në minutat e fundit, kur gjyqtarja Emanuela Rusta tregoi dy herë kartonin e verdhë për lojtarin Shanaj, por harroi ta nxirrte nga fusha me të kuq.
Të shtunën u luajtën takimet Bylis-Tirana 0-0 dhe Elbasani-Flamurtari 1-0. Ndërsa të premten, kampionët në fuqi të Egnatias, u mundën nga Vllaznia 2-0 në Shkodër.
Ndeshja e fundit e javës së parë, Teuta-Dinamo, është programuar për t’u zhvilluar më 5 shtator, për shkak të impenjimit të bluve në Conference League. (A2 Televizion)