Plazhi i Velipojës mbetet një nga zgjedhjet më të pëlqyera për pushuesit vendas dhe të huaj gjatë sezonit veror.
Hapësira e gjerë publike dhe pastërtia e plazhit vlerësohen si dy nga arsyet kryesore pse turistët zgjedhin Velipojën për të kaluar pushimet, shkruan A2 CNN. Shërbimet e ofruara dhe mikpritja e zonës e forcojnë më tej imazhin e Velipojës si një destinacion turistik në rritje.
“Është shumë mirë për kalimin e pushimeve”, thotë një pushues. “Ditën e dytë kemi zgjedhur një hapësirë publike dhe më duket shumë mirë”, thotë një tjetër. “Kur kam shkelur në Shqipëri për herë të parë, në 2009-n, për herë të parë këtu kam ardhur”, thotë një pushues nga Kosova. “Rregullisht vij këtu çdo vit”.
Me rritjen e fluksit të vizitorëve çdo verë, Velipoja po kthehet në një ndër plazhet më të frekuentuara të bregdetit shqiptar. Gjatë fundjavës, numri i pushuesve në plazhin e Velipojës përllogaritet mbi 100 mijë persona, ku më fanatikët e pushimeve dhe të fundjavës e zgjedhin Velipojën kryesisht shqiptarët e Kosovës. (A2 Televizion)