Jose Mourinho mund të jetë gati për një rikthim surprizë në Premier League. Sipas mediave britanike, trajneri portugez, aktualisht në krye të Fenerbahçes, është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Nottingham Forest.
Klubi anglez, pavarësisht kualifikimit për në Europa League sezonin e kaluar dhe një debutimi me fitore këtë sezon, duket se është në prag të ndarjes me trajnerin aktual Nuno Espírito Santo. Arsyeja? Kritikat e hapura të portugezit për merkaton verore dhe vonesat në përgatitjet e skuadrës, përcjell A2 CNN. “Kam pasur gjithmonë një marrëdhënie të mirë me presidentin Evangelos Marinakis dhe flisnim çdo ditë, por kohët e fundit gjërat nuk kanë shkuar mirë. Jam i shqetësuar për sezonin”, tha Nuno, duke konfirmuar tensionet me drejtuesit.
Shkarkimi i tij pritet të ndodhë brenda pak ditësh, ndërsa Mourinho raportohet se ka dhënë pëlqimin e tij për të marrë drejtimin e skuadrës nga Stambolli në Nottingham. Nëse marrëveshja finalizohet, kjo do të ishte eksperienca e katërt e Mourinhos në Premier League pas Chelsea-t (në dy periudha), Manchester United dhe Tottenham. (A2 Televizion)