
Akuzave të opozitës pas vendimit të Arbitrazhit që detyron Shqipërinë t’i paguajë 44 milionë euro kompanisë greke “Aktor” për prishje kontrate në lidhje me aksin Tiranë –Elbasan, i është përgjigjur Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Përmes një deklarate, ajo thotë se kontrata nisi me probleme që në kohën e qeverisë së demokratëve, ndërsa shtrin përgjegjësitë edhe te ish-ministrat e LSI kur bashkëqeverisnin me socialistët.
“Këtë kontratë e ka iniciuar shtrembër që në gjenezë, pikërisht Partia Demokratike. Stafetën më pas e morën ministrat e Transportit dhe drejtorët e emëruar nga LSI, për ta bërë përfundimisht këtë kontratë një aferë, në disfavor të pastër për shtetin shqiptar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Sipas Ballukut, ministrat e LSI kanë rishikuar disa herë projektin, duke u bërë shkak për shkeljet që çuan në arbitrazh. “Vendimi i fundit i arbitrazhit vërteton dhe njëherë se ndryshimet e njëpasnjëshme në këtë projekt, sipas oreksit të ministrave dhe drejtorëve që ndërroheshin dhe i përkisnin LSI, të ndjekur penalisht për shkeljet e kryera, do pasoheshin me faturë financiare për shqiptarët”
Partia Demokratike kërkoi hetimin e çështjes nga SPAK, duke drejtuar gishtin nga kryeministri Rama dhe kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla.
“Janë 10 milionë euro të paguara kundër ligjit si nënkontraktor përpunimet në autostradën Tiranë - Elbasan, që kur Edmond Bego u bë mik familjar me Taulant Ballën. Lista e pagesave tregon se punimet e trafikantit të Taulant Ballës janë kryer për firmën “Aktor” nga viti 2015 deri në vitin 2018 në kundërshtim me ligjet e vendit. Ky është një rast që duhet të hetohet me prioritet nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion. Trafikanti i drogës Edmond Bego e ka të ndaluar nga ligji i prokurimeve publike që të marrë pjesë në tendera. Sipas ligjit asnjë i dënuar për trafik droge nuk mund të përfitojë para publike”, deklaroi Alibeaj.
Me ministren Balluku replikoi edhe LSI që publikoi letrën përmes ish-ministrit të saj, Edmond Haxhinasto, i ka drejtuar kryeministrit Edi Rama në vitin 2016, ku mes të tjerash e vë në dijeni për problematikat me firmën greke për këtë autostradë.
Arbitrazhi është humbur pikërisht për mosrimbursimin e TVSH-së dhe shpronësimeve. Ankesa e firmës greke “Aktor” ka ardhur në ARRSH, një javë pasi Dashamir Xhika ka dhënë dorëheqjen. Trajtimi i këtyre ankesave duhet të ishte marrë në konsideratë nga Damian Gjiknuri dhe Afrim Qëndro. Njësoj si demokratët, edhe LSI nuk harroi jashtë vëmendjes Taulant Ballën të cilin e quan si të përfshirë në këtë aferë përmes njerëzve të tij të afërt. (A2 Televizion)